Kosova ka të njohura vetëm 826 punime shkencore nga EBSCO (Baza ndërkombëtare e të dhënave për botimet shkencore me impakt faktor), dhe ato botime kryesisht sillen rreth emrave të 100 personave që kanë botuar hulumtime shkencore nga Kosova.
Kështu është thënë të enjten në konferencën “Gjendja e hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore në Kosovë”, të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Kreu i kësaj ministrie, Arsim Bajrami, ka thënë se akademikët kosovarë duhet të dalin nga rutina e punës në universitete, duke ofruar vetëm mësimdhënie dhe pak ose aspak punë shkencore, shkruan sot Koha Ditore.
Ai ka thënë se profesorët, asistentët dhe studentët duhet t’i japin prioritet më të madh punës shkencore, sepse Kosova po radhitet ndër vendet me më së paku punë shkencore në rajon.
Ministri Bajrami ka mbajtur një fjalim të gjatë para profesorëve dhe rektorëve të disa universiteteve publike të Kosovës, ku nuk ishte i pranishëm askush nga menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, të cilin ai disa herë e përmendi.