Një person ka ndërruar jetë pas një aksidenti tragjik gjatë punës, kur ra nga një lartësi në një objekt. Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në rrugën Ferizaj–Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se viktima, një mashkull 43-vjeçar, nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra nga rënia. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen në vendngjarje.
“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, deklaroi Ahmeti.
Policia, në koordinim me Prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës, ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Rasti nënvizon rëndësinë e respektimit të masave të sigurisë gjatë punës në lartësi./lajmi.net/