36 të vdekur nga aksidenti mes autobusit e kamionit në Kinë

Të paktën 36 njerëz kanë vdekur dhe 36 të tjerë janë lënduar në pjesën lindore të Kinës kur një autobus i mbushur me njerëz, të cilit i ishte shfryrë goma, u përplas me një kamion.
Në autobus ndodheshin 69 njerëz, që ishte kapaciteti i tij maksimal, kur u përplas me një kamion mallrash në provincën lindore, Jiangsu, të shtunën në mëngjes. Kështu njoftoi byroja e sigurisë publike në Yixing.
Byroja për siguri publike njoftoi përmes një deklarate se, bazuar në hetimet fillestare, aksidenti i tmerrshëm ndodhi për shkak të një gome të shfryrë në pjesën e përparme të autobusit.
Përpos personave të vdekur, në aksident u lënduan rëndë 9 të tjerë, 26 pësuan lëndime më të lehta, ndërsa një person është lëshuar nga spitali për në shtëpi.
Lexo edhe“Trump mendon të heqë kompanitë kineze nga tregu amerikan”
Aksidentet fatale janë të shpeshta në Kinë, ku rregullat e trafikut shpesh nuk respektohen dhe nuk mbikëqyren nga autoritetet.
Sipas statistikave zyrtare, vetëm në vitin 2015 në Kinë kanë vdekur 58 mijë njerëz si pasojë e aksidenteve në trafik.
Në rreth 90 për qind të rasteve, policia tha se shkaktar i vdekjeve në trafik ka qenë shkelja e rregullave të komunikacionit rrugor, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.














