Zyrtari i LDK’së, Bajram Gecaj, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit Milaim Zeka, i cili ia kishte apostrofuar emrin si një njeri lobues i LDK’së.
Në statusin e tij në Facebook, Gecaj shkruan se ‘asnjëherë nuk ka qenë lobues i dikujt tjetër jashtë strukturave të LDK’së.
MILAIM “MO”!
Milaim Zeka, si zakonisht, gabon kur flet për mua në publik. Njerëzit gabojnë më së shumti kur tjerët i gjykojnë me parametrat e karakterit të tyre vetanak! Atë e ka bërë Milaimi edhe dje kur më kishte apostrofuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe pse e dinte se unë nuk isha prezent dhe se nuk do të mund tu përgjigjesha akuzave të tij aty për aty! Unë kurrë në jetën time nuk kam qenë lobues politik i askujt tjerë jashtë strukturave të LDK-së, posaçërisht jo i “gjarprit otoman”. Por kam qenë dhe do të mbetem person shumë parimor, që mbron dhe shtynë para fuqishëm politikat dhe interesin e partisë dhe vendit tim. As unë por edhe asnjë deputet i LDK-së i mandatit të kaluar nuk ka lobuar dhe as që kanë votuar për Hashim Thaçin. Ne kemi përkrahur marrëveshjen e koalicionit, e cila LDK-së, për herë të parë në periudhën e pasluftës, i kishte siguruar pozitën më të rëndësishme në sistemin e republikës parlamentare, atë të kryeministrit të vendit. Janë votuesit e PDK-së ata të cilët e votuan Hashim Thaçin, dhe të cilët i kishin japë atij mundësinë dhe fuqinë për negocimin e marrëveshjes së koalicionit qeverisës me LDK-në.
