Zyrtare: Arsenal prezanton përforcimin e shumëpritur, Ezri Konsa nënshkruan me “Topçinjtë”

Arsenal ka kompletuar përforcimin e parë në repartin defensiv gjatë afatit kalimtar të verës, duke transferuar reprezentuesin anglez Ezri Konsa nga Aston Villa.
Sipas njoftimit zyrtar të klubit londinez, 28-vjeçari ka nënshkruar kontratë afatgjatë me Arsenalin pas shtatë sezoneve të kaluara në “Villa Park”.
Konsa largohet nga Aston Villa si një prej mbrojtësve më të qëndrueshëm të skuadrës, pasi gjatë qëndrimit të tij regjistroi më shumë se 200 paraqitje në të gjitha garat.
Nga Charlton te elita e Premier League
Konsa e nisi karrierën profesionale te Charlton Athletic, ku debutoi me ekipin e parë në vitin 2016 dhe shumë shpejt u konsiderua një nga talentet më premtuese të klubit.
Pas dy sezoneve me skuadrën e parë, ai u transferua te Brentford në vitin 2018.
Paraqitjet e tij gjatë sezonit 2018/19 i rritën ndjeshëm reputacionin dhe i hapën rrugën drejt Premier League, me Aston Villan që siguroi shërbimet e tij në vitin 2019.
Te Villa, stabiliteti dhe vazhdimësia u bënë pikat kryesore të lojës së tij.
Aftësia për të luajtur si qendërmbrojtës, por edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes, e ka bërë Konsan një nga futbollistët më të vlefshëm dhe më fleksibilë në repartin defensiv.
Eksperiencë edhe me Anglinë
Konsa ka përfaqësuar Anglinë në nivelet U20 dhe U21, përpara se të debutonte me kombëtaren A në vitin 2023.
Që atëherë ai është bërë pjesë e rregullt e “Tre Luanëve”, duke marrë pjesë në Euro 2024 dhe në Kupën e Botës 2026.
Lexo edhe“Stamford Bridge” megjithatë do të jetë në Champions, do të përdoret nga Shakhtar Donetsk
Eksperienca e tij në Premier League dhe në arenën ndërkombëtare pritet t’i japë Arsenalit më shumë siguri dhe alternativa në mbrojtje.
Berta: Konsa na jep fleksibilitet të rëndësishëm
Drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, u shpreh i kënaqur me realizimin e transferimit.
“Jemi shumë të lumtur që kemi kompletuar transferimin e Ezri Konsas. Ai është një mbrojtës me cilësi të larta dhe atributet fizike, qetësia me topin dhe inteligjenca taktike e kanë bërë një nga lojtarët më të qëndrueshëm në këtë nivel të Premier League”, deklaroi Berta.
“Falë aftësisë së tij për të luajtur si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës i djathtë, Ezri do t’i japë skuadrës sonë fleksibilitet të rëndësishëm, duke ruajtur njëkohësisht standardet e larta defensive që janë thelbësore në garën tonë për trofe të mëdhenj.”
Berta vlerësoi gjithashtu eksperiencën dhe karakterin e lojtarit.
“Po mirëpresim një futbollist me eksperiencë të dëshmuar në Premier League dhe në nivel ndërkombëtar, si dhe me cilësi të forta lidershipi. Besojmë se ai do të përshtatet shpejt me stilin tonë të lojës.”
“Po aq e rëndësishme është se Ezri ka karakterin dhe mentalitetin e nevojshëm për të dhënë ndikim të menjëhershëm në klub.”
Konsa do të mbajë fanellën me numrin 15
Ezri Konsa do të luajë me fanellën me numrin 15 te Arsenali dhe pritet t’u bashkohet menjëherë bashkëlojtarëve të rinj në Londër.
Me afrimin e tij, Arsenali fiton një tjetër opsion me përvojë dhe fleksibilitet në mbrojtje, ndërsa skuadra vazhdon përforcimet për sezonin e ri. /GazetaExpress/














