BallinaLajmeLajmet e FunditZRRE-ja njofton refuzimin e kërkesës për vendosjen e masës së sigurisë për...

ZRRE-ja njofton refuzimin e kërkesës për vendosjen e masës së sigurisë për Libelarizimin e tregut energjetik

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njoftoi se sot ka pranuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë në dy raste të ndara, me të cilat është refuzuar kërkesa për vendosjen e masës së sigurisë ndaj njoftimit publik për Liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, të publikuar nga ZRRE-ja, më 12 mars.

Kërkesat për masën e sigurisë janë parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës (SHPK).

Në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë promovon konkurrencë më të madhe ndërmjet furnizuesve, nxit presion për çmime më të ulëta dhe shërbim më cilësor për konsumatorët, u mundëson furnizuesve të ofrojnë oferta më të favorshme dhe zbritje dhe rrit efikasitetin në sektorin energjetik, duke nxitur kompanitë të menaxhojnë më mirë kostot dhe të ofrojnë shërbime më të besueshme – në interes të konsumatorëve dhe publikut në përgjithësi.

“Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar provat e paraqitura nga paditësit, përfshirë formularët e deklarimit vjetor për tatimin në të ardhurat e korporatave, dhe ka konstatuar se bizneset në fjalë nuk kanë dëshmuar se kanë më pak se 50 punëtorë, ndonëse kanë vërtetuar qarkullim vjetor nën 10 milionë euro. Në mungesë të përmbushjes së të dy kritereve njëkohësisht, Gjykata ka konstatuar se ZRRE ka vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi” thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

ZRRE-ja ka rikujtuar se obligimet ligjore që dalin nga neni 3 pika 1.72 dhe neni 37 i Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, i cili është në fuqi që nga viti 2016 dhe përcakton qartë se ndërmarrjet ekonomike që kanë më shumë se 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor, nuk kanë të drejtë për furnizim me shërbim universal, dhe duhet të furnizohen në tregun e lirë të energjisë elektrike.

“ZRRE-ja fton të gjitha bizneset që i plotësojnë kriteret ligjore për të dalë në treg të hapur, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për gjetjen e Furnizueseve që të furnizohen me energji përmes tregut të lirë, duke shfrytëzuar përfitimet që sjell konkurrenca.

ZRRE-ja mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, duke siguruar një treg të hapur, funksional dhe në përputhje me standardet evropiane” deklaron ZRRE.

- Advertisement -