Zidane i beson mikut të vjetër, një tjetër kampion bote pritet t’i bashkohet stafit të Francës

Zinedine Zidane po kompleton strukturën teknike dhe administrative të kombëtares franceze përpara nisjes së punës me “Les Bleus”, pasi Federata Franceze e Futbollit prezantoi javën e kaluar pjesën më të madhe të stafit të tij.
Gazetari francez Xavier Giraudon pritet të marrë postin e përgjegjësit për marrëdhëniet me mediat, duke zëvendësuar Raphaël Raymond, i cili ka menaxhuar komunikimin mes kombëtares dhe shtypit që nga viti 2018.
Giraudon punon për Canal+ dhe InfoSport+, ndërsa pritet t’i bashkohet së shpejti strukturës së re si pjesë e ndryshimeve të fundit që Zidane po bën në ekipin e tij teknik dhe administrativ.
Lajmi është raportuar nga “Le Parisien” dhe është konfirmuar edhe nga “Radio Monte Carlo”.
Një miqësi që daton prej dekadash
Marrëdhënia mes Zidane dhe Giraudon nuk është e re.
Gazetari kishte ndjekur ndeshjet e Bordeaux gjatë viteve ’90, pikërisht në periudhën kur Zidane luante për klubin francez.
Ai ishte një prej gazetarëve që ndoqën hapat e parë të karrierës së francezit, përpara se mesfushori të shndërrohej në një prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror me Juventusin dhe më pas Real Madridin.
Zidane do të arrinte kulmin me Francën në vitin 1998, kur udhëhoqi kombëtaren drejt titullit të parë botëror.
Kjo njohje e hershme pritet ta ndihmojë Giraudon të përshtatet shpejt me rolin e ri, veçanërisht pasi Zidane ka kërkuar ta përfshijë personalisht në procesin e ristrukturimit të kombëtares.
Një tjetër kampion bote i vitit 1998 pranë stafit?
Zidane pritet ta prezantojë të gjithë stafin teknik dhe administrativ në një konferencë për media muajin e ardhshëm, ndërsa disa emra mbeten ende për t’u konfirmuar.
Rreth 25 persona pritet të jenë pjesë e ekipit të tij.

Lexo edhePep Guardiola shpërthen në lot pas debatit të ashpër me Kyle Walker, gjithçka u filmua nga dokumentari i Amazon Prime
Mes tyre do të jetë edhe ish-portieri legjendar Fabien Barthez, i cili pritet të marrë përgjegjësinë për përgatitjen e portierëve.
Por Barthez mund të mos jetë i vetmi kampion bote i vitit 1998 që do t’i bashkohet Zidane.
Emri i Bernard Diomède është përmendur gjithnjë e më shumë gjatë javëve të fundit.
Diomède aktualisht drejton kombëtaren U-20 të Francës dhe konsiderohet si një prej kandidatëve për t’u bërë pjesë e stafit teknik të Zidane.
Një lëvizje e tillë do të bashkonte sërish disa prej figurave të brezit të artë të futbollit francez.
Fillim i vështirë për Zidane
Pasi të kompletojë stafin, Zidane do ta nisë zyrtarisht aventurën e tij në krye të Francës me një sfidë të vështirë në transfertë ndaj Turqisë më 25 shtator, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Vetëm tre ditë më vonë, Franca do të udhëtojë drejt Belgjikës.
Ndeshjen e parë në shtëpi nën drejtimin e Zidane, “Les Bleus” do ta zhvillojnë më 2 tetor ndaj Italisë në Stade de France.
Për momentin, Zidane po përqendrohet në kompletimin e çdo detaji të ekipit të tij të punës, përpara se të nisë kapitullin e ri në karrierë.
Pritshmëritë në Francë janë të jashtëzakonshme, me publikun që pret shumë nga rikthimi i një prej ikonave më të mëdha të futbollit francez, këtë herë në rolin e trajnerit të kombëtares. /GazetaExpress/














