back to top
Wednesday, August 13, 2025
BallinaLajmeZhvillimet me ZRrE-në, Osmani: Do të ndërmarrim veprime tjera ligjore që kemi...

Zhvillimet me ZRrE-në, Osmani: Do të ndërmarrim veprime tjera ligjore që kemi në dispozicion- do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese

Të ngjajshme

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se ka pranuar sot nga Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë, Aktvendimin lidhur me masën e sigurisë për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Derisa ZRRE thotë se aktvendimi i Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë ka aprovuar ankesën e ZRrE dhe ka ndryshuar pikën IV të Aktgjykimit KA.nr.301/25 të Gjykatës Komerciale – Dhoma Shkalla e Parë, me ç’rast ka Refuzuar padinë e paditësit për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

“Ashtu siç kemi theksuar edhe më herët, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është  në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale. Ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet nga gjykatat kompetente, së fundi edhe nga Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim.

Ndërsa lidhur me këtë situatë, në një prononcim të shkurt për lajmi.net, ka folur avokatja Blinera Osmani e cila ka thënë se vendimi i shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale nuk e ka rrëzuar të gjithë vendimin e shkallës së parë të Gjykatës komerciale.

Sipas saj shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka anuluar vetëm pikën e 4-të akt-vendimit të parë, pra kjo pikë e pezullon nxjerrjen e bizneseve në tregun e hapur energjetik.

“Në fakt vendimi i shkallës së dytë që kemi pranu dje është vetëm sa i përket pikës së 4 të aktgjykimit të shkallës së parë i cili ka përcaktuar masën pezulluese pra do të thotë se nuk është vendim që ka rrëzu në tërësi shkallën e parë por vetëm një prej pikave të aktgjykimit i cili ka të bëjë vetëm me masën pezulluese”, ka thënë ajo.

Pas këtij vendimi Osmani, ka paralajmëruar se bizneset do të vazhdojnë betejën e tyre ligjore deri në Gjykatën Kushtetuese, teksa tha se do të ndërmarrin veprimet tjera ligjore të cilat i kanë në  dispozicion.

“Sa i përket vendimit për masën pezulluese ne do të ndërmarrim veprimet tjera ligjore që kemi në dispozicion, do t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa në lidhje me pjesë tjetër të aktgjykimit jemi në pritje të vendimit të shkallës së dytë i cili do ta shqyrtoj gjithashtu ankesën e ZRRE-së dhe përgjigjet tona në ankesën e ZRRE-së”, ka theksuar Osmani.

Ndryshe ajo mes tjerash  theksoi se bizneset do të vazhdojnë punën e tyre në tregun e hapur deri në një vendim të formës së prerë nga Gjykata.

“Po ashtu bizneset do të vazhdojnë në tregun e hapur deri në një vendim të formës së prerë nga Gjykata”, ka thënë Osmani.

Liberalizimi i tregut të energjisë në Kosovë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë disa herë për shkak të rrethanave të ndryshme. Në vendet e Bashkimit Evropian ky proces ka nisur në fund të viteve ’90, me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët, ndërsa në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë në zhvillim. /Lajmi.net/ 

- Advertisement -

Të Fundit