Enti Shtetëror i Revizionit thotë se partitë politike kanë treguar një nivel më të kënaqshëm të transparencës financiare gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe parlamentare, duke qenë se nga mbi 60 parti, vetëm 4 nuk kanë dorëzuar raporte dhe janë bllokuar nga Ministria e Drejtësisë. Megjithatë mangësitë në mënyrën e financimit të partive politike dhe të fushatave zgjedhore mbeten përcjell Gazeta Express nga Alsat.
“77% e reklamimit të paguar politik në zgjedhjet presidenciale u financua nga shteti përmes KSHZ-së kurse për zgjedhjet parlamentare diku 67%. Mbeten akoma mangësi që duhet të tejkalohen sa u takon dobësive sistemore, sidomos në rregullimin e pagesës së donacioneve pas përfundimit të rezultateve finale të zgjedhjeve sepse e dini që ligji ynë lejon që pas rezultateve të bëhen donacione nga persona fizik dhe juridik dhe sigurisht se kur dihen rezultatet, ekziston mundësia që donacione të bëhen vetëm te fituesi dhe jo te të gjithë njësoj”, tha Maksim Acevski, Drejtor i Entit të Revizionit.
Për këto probleme u diskutua në takimin e Entit të Revizionit, Komisionit Shtetëror Zgjedhor, partive politike, OSBE-së dhe përfaqësive diplomatike që ndihmojnë procesin e demokratizimit të zgjedhjeve.
“Vërtetë shpresoj se raportet e Entit të Revizionit dhe rekomandimet që keni marrë nga ODIHR-ja dhe Komisioni i Venecias do të merren në konsideratë dhe do të zbatohen gjatë ndryshimit dhe plotësimit të Kodit zgjedhor. Është shumë e rëndësishme të filloni procesin e ndryshimit të Kodit zgjedhor në kohë që të ardhmen të përmirësoni edhe më shumë zgjedhjet”, u shpreh Veronik Hullman Marti, Ambasadore e Zvicrës.
OSBE-ODIHR-ja në vazhdimësi kërkon reforma zgjedhore përfshirë nivel më të lartë të transparencës në procesin e financimit të fushatës zgjedhore. Misioni vëzhgues madje prej kohësh kërkon një Kod tërësisht të ri zgjedhor, kërkesë të cilën partitë deri tani e kanë injoruar. / Alsat.mk