Një operacion policor në fshatin Zhiti të komunës së Podujevës ka çuar në zbulimin e tri plantacioneve të kultivuara me gjithsej 525 bimë narkotike të llojit kanabis-sativa.
Sipas informacioneve zyrtare, plantacionet janë zbuluar rreth orës 09:45 në një zonë pyjore të fshatit, raporton lajmi.net
Pas evidentimit të tyre dhe marrjes së mostrave për analizë, me vendim të prokurorit të çështjes, bimët narkotike bashkë me mjetet e punës janë asgjësuar në vendin e ngjarjes.
Policia e Kosovës konfirmon se rasti është duke u hetuar intensivisht, ndërsa deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ka persona të arrestuar në lidhje me rastin.
Njoftimi i plotë i Policisë:
KULTIVIM I BIMËS SE HASHASHIT, SHKURRES SE KOKAINËS OSE BIMËS SE KANABISIT
Fsh. Zhiti, Podujevë 16.10.2025 – 09:45. Raportohet se në pyllin e fshatit janë gjetur tri plantacione të mbjella 525 bimë narkotike të llojit kanabis-sativa. Pas marrjes së mostrave me vendim të prokurorit bimët dhe mjetet e punës janë asgjësuar në vendin e ngjarjes. Rasti është duke u hetuar./Lajmi.net/