Xhemaili për Granit Xhakën: Nuk mund ta imagjinoj Kombëtaren pa të

Blerim Xhemaili ka folur për situatën e Granit Xhakës lidhur me certifikatën e falsifikuar të Covid-19 dhe të ardhmen e kapitenit me Kombëtaren e Zvicrës.
Në një intervistë për Blick.ch, ish-reprezentuesi zviceran ka bërë thirrje që të ndahet jeta private e futbollistëve nga roli i tyre publik, duke theksuar se Xhaka është një figurë që tërheq vëmendje të madhe, shkruan Indeksonline
“Futbollistët, nga njëra anë, kanë një rol si modele për t’u ndjekur, por nga ana tjetër kanë edhe një jetë private. Këto dy gjëra duhet të ndahen. Granit Xhaka është një person që polarizon shumë. Prandaj është logjike që një temë e tillë, në rastin e tij, të diskutohet më shumë në publik sesa te dikush tjetër”, ka deklaruar Xhemaili.

Lexo edheTelashe për Barcelonën, lëndohet Raphinha
Ai ka bërë të ditur se pas ndeshjeve të radhës pritet një diskutim mes Xhakës dhe Federatës Zvicerane të Futbollit për të ardhmen e tij me përfaqësuesen.
“Federata dhe Graniti do të ulen pas këtyre ndeshjeve dhe do të duhet të marrin një vendim se si do të vazhdojë rrugëtimi i tij me Kombëtaren. Besoj se Graniti dëshiron të mbetet kapiten. Megjithatë, sinqerisht, nuk mund të them se çfarë do të bëja në vend të federatës. Aktualisht, gjithsesi, nuk mund ta imagjinoj Kombëtaren pa Granit Xhakën”, u shpreh Xhemaili./Indeksonline/














