Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti konsideron se ka pasur nevojë që të ketë më shumë konsultime para se të vendosje taksa prej 100% ndaj produkteve që prodhohen në Serbi e në Bosnjë e Hercegovinë.
Krejt kjo sipas tij është dashur të ndodhte sepse në Kuvend e kanë votuar marrëveshjen e CEFTA-s, dhe është dashur të shihet se çfarë çmimi mund të paguaj Qeveria e Kosovës në rast se nuk e respekton një marrëveshje të tillë.
Haliti në “BlicInterview me Astrit Gashin” ka thënë se nëse Serbia po thuhet se ka shkelur marrëveshjet e CEFTA-s, atëherë Qeveria e Kosovës është dashur të bëjë konsulta me specialistë të kësaj fushe dhe të ankohej në CEFTA si në të njëjtin rast siç po bëjnë tani Serbia e Bosnja e Hercegovina.
“Shiko, për me vendosë një taksë të tillë unë mendoj që ka pasë nevojë që të ketë konsulta më shumë. Pse? Ne kemi nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s dhe duhet pa, duhet pa ajo marrëveshje se cila janë dhe se çfarë çmimi mund të paguaj një Qeveri e cila nuk respekton një marrëveshje ndërkombëtare”.
“Kemi votuar marrëveshjen e CEFTA-s në Kuvend dhe kemi marrë obligimet për marrëveshjen e CEFTA-s si Kosovë. A jemi fuqiplotë qysh janë të tjerat vende të Ballkanit Perëndimore është një tjetër çështje. Por në çoftë se ne kemi marrë obligimet që nga marrëveshja e CEFTA-s të atëhershme për të cilën jemi krenuar dhe kanë bërë një propagandë të madhe – veçanërisht atëherë ministri përkatës, kanë qenë edhe ministrat e atëhershëm se kemi arritur shumë bashkë me deputetët e Kuvendit, atëherë unë mendoj që do të duhej pas, specialistët më shumë të flasin se cilët janë pasojat në qoftë se ne nuk e respektojmë marrëveshjen e CEFTA-s”.
“Duhet me e ditë se a ka të drejtë pastaj cilado palë, çoftë Serbia, çoftë Bosnja e Hercegovina, çoftë Mali i Zi, çoftë ndonjë vend tjetër. Maqedonia për shembull, Shqipëria në çoftë se Kosova nuk e respekton Marrëveshjen e CEFTA-s, cilat do të jenë pasojat për Kosovën. A kanë të drejtë të bëjnë ankesa. A kanë të drejtë të padisin Kosovën dhe a kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim vendet përkatëse”, ka thënë Haliti.