BallinaLajmeLajmet e FunditXabi Alonso sjell “revolucionin” e tij në Real Madrid: Ndryshim i stilit...

Xabi Alonso sjell “revolucionin” e tij në Real Madrid: Ndryshim i stilit dhe kërkesë për sakrificë kolektive 

Xabi Alonso ka treguar te Bayer Leverkusen se di të lexojë skuadrën dhe të shfrytëzojë maksimalisht cilësitë e lojtarëve. Ai zëvendësoi trajnerin e mëparshëm, Gerardo Seoane, duke vendosur një sistem me tre qendërmbrojtës (pesë mbrojtës në total), që funksionoi në mënyrë perfekte për të sjellë një sukses historik – titullin e parë kampion të Bayer Leverkusenit në Bundesliga. 

Tani, logjika thotë se Alonso do ta sjellë këtë qasje edhe në projektin e tij të ri si trajner i Real Madridit, i cili fillon të hënën, më 2 qershor. Megjithatë, ish-mesfushori i Liverpoolit dhe Bayern Munich ka vendosur që formacioni bazë do të jetë 4-3-3.  

Nuk do të jetë stili i vetëm i lojës, por pika e fillimit. Ai e di që Real Madridi nuk ka luajtur me pesë mbrojtës rregullisht që nga viti 2000 – një sistem që i ndihmoi të fitojnë finalen e Ligës së Kampionëve kundër Valencias. 

Në Valdebebas janë të vetëdijshëm që skuadra aktuale e Real Madridit nuk është ndërtuar për të luajtur me tre qendërmbrojtës, sidomos duke marrë parasysh dëmtimet e Militao, Rüdiger dhe Alaba.  

Në dispozicion për Kupën e Botës për Klube janë vetëm Asencio dhe Huijsen si qendërmbrojtës të gatëshëm, pasi Vallejo nuk është më pjesë e ekipit, ndërsa Jacobo Ramón dhe Aguado mund të ndihmojnë në këtë rol. Tchouameni, të cilin Alonso e sheh si mesfushor qendror, nuk është opsion për mbrojtjen. 

Dilemat për qendërmbrojtësit dhe të ardhmen e tyre 

Në fakt, Kupa e Botës për Klube do të shërbejë si test për gjendjen e qendërmbrojtësve të rinj dhe për të vlerësuar rikuperimin e plotë të Rüdiger dhe Alaba.  

Nuk është prioritet i menjëhershëm, por mund të kërkohet një qendërmbrojtës i ri për të përforcuar repartin. 

Sistemi 4-3-3 dhe përfshirja e sulmuesve 

Ajo që Alonso e ka shumë të qartë është se formacioni 4-3-3 kërkon përfshirjen e plotë të të tre sulmuesve – jo vetëm në fazën sulmuese, por edhe në mbrojtje.  

Ai është i vendosur që çdo lojtar të kontribuojë në fazën mbrojtëse, pas një sezoni ku mungesa e angazhimit ka shkaktuar shpeshherë probleme. 

Biseda e parë me Viniciusin 

Një nga hapat e parë të Alonsos do të jetë një bisedë me Viniciusin, për ta bindur se talenti i tij është vendimtar, por gjithashtu edhe sakrifica për ekipin.  

“Një lojtar mund të jetë i lirë, por jo tre ose katër njëkohësisht”, është ideja që do të udhëheqë projektin e Alonsos.  

Skuadra shpesh ka vuajtur për shkak të mungesës së disiplinës mbrojtëse, diçka që Alonso nuk dëshiron ta shohë më. 

Analiza e ndeshjeve dhe raportet e hollësishme 

Xabi Alonso, i ndihmuar nga analisti i tij, Benat Labaien, ka analizuar në detaje ndeshjet e fundit të Real Madridit.  

Analisti ka qenë i pranishëm në disa nga këto ndeshje, duke përpiluar raporte për sjelljen dhe angazhimin e lojtarëve.  

Pikërisht nga këto analiza ka lindur bindja e Alonsos për nevojën e sakrificës kolektive, e cila do të jetë baza e stilit të tij te Real Madridi. /Telegrafi/  

- Advertisement -