Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Tale të Lezhës, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi Pjetër Kaza, rreth 57 vjeç. Ai është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij në oborrin e banesës. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.
Lezhë/Informacion paraprak
Në fshatin Tale, Lezhë, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. K., rreth 57 vjeç, banues në Tale.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur para banesës së tij, në kohën që shtetasi P. K., po kthehej për në banesë me automjetin e tij.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë vendore të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.
Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Prokurorit, po kryejnë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.