Njësiti Special i Policisë, zbarkoi në veriun e Kosovës të dielën.
Cak i tyre, ishin 9 lokacione në Zveçan e Zubin Potok.
Krejt kjo për një vrasje që ndodhi 12 vjet me parë.
Këtu në magjistralen Prishtinë – Leposaviq, persona të panjohur kishin vrarë ish-zyrtarin e EULEX, doganierin lituanez, Audrius Shenavicius.
Për disa vjet, rastin në duar e mbajti vet Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.
Madje për kapjen e autorëve, ofroi plot 82 mijë euro.
Por, veprimet e para në terren, u morën kur rasti kaloi në duart e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Të dielën, këta të fundit njoftuan se për këtë rast në polici u shoqëruan shtatë persona, të cilët pas intervistimit u liruan në procedurë të rregullt.
Tëvë1 mëson se në mesin e të arrestuarve, janë edhe të dyshuarit, LM, SK si dhe RK.
“Unë mendoj se operacioni është i suksesshëm, për arsye se gjatë bastisjeve në nëntë lokacione, janë gjetur armë, dylbia, gjithashtu dokumente të tjera që mund të jenë të falsifikuara dhe po ashtu uniforma. Janë gjetur disa argumente e prova që mund t’i hyjnë në shërbim drejtorisë për krime të rënda, por edhe gjykatës dhe prokurorisë”, ka thënë Morina.
Koloneli në pension i Policisë së Kosovës, Refki Morina, thotë se provat e sekuestruara, mund të çojnë në zbardhjen e këtij rasti.
“Një ndër provat që janë gjetur, janë armët dhe mund të jenë armët me të cilat është kryer ndonjë vepër penale, kjo ose ndonjë vepër tjetër penale, mund të jenë dylbitë që kanë përcjell persona të caktuar, uniformat që kanë mundur të përdorën apo dokumentet e falsifikuara”, është shprehur Morina.
Ndryshe, edhe në komunikatën e përbashkët mes Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, u tha se qëllimi i operacionit policor, ishte verifikimi i informatave dhe identifikimi i mundshëm i provave relevante.