Në fshatin Gjurgjevik i Madh, te malet e vogla, gjendet një vend që banorët e njohin prej kohësh me emrin “Vorri i Plakut”.
Ky varr, i vendosur në një zonë malore, është kthyer në një simbol kujtese dhe respekti, i përcjellë brez pas brezi përmes gojëdhënave.
Sipas rrëfimeve të banorëve të kësaj ane, historia e këtij varri lidhet me një periudhë të vështirë për shqiptarët e Kosovës, në kohët e hershme të sundimeve dhe represionit nga sllavët bullgarë kur popullsia ishte e shtypur dhe e përndjekur.
Banorët tregojnë se në atë kohë kishte mungesë të madhe ushqimi dhe varfëri të skajshme, ndërsa forcat e regjimit bastisnin shtëpitë dhe merrnin gjithçka që njerëzit kishin, deri edhe miellin e bukës.
Në këto rrethana, thuhet se një plak, i panjohur për banorët, ishte gjetur i shtrirë pa shenja jete në atë zonë malore, me një fëmijë pranë tij. Ai dyshohet se kishte ndërruar jetë nga kushtet e rënda dhe uria, ndërsa askush nuk kishte mundur ta identifikonte se kush ishte dhe nga vinte.
Për shkak të pamundësisë për ta njohur, banorët vendosën ta varrosin në atë vend, dhe prej asaj dite varri u quajt “Vorri i Plakut”.
Edhe sot, ky vend vizitohet nga shumë banorë, sidomos në ditë të veçanta fetare si Bajrami, ku disa shkojnë për ta pastruar dhe mirëmbajtur varrin, në shenjë respekti dhe për të mos u harruar historia e dhimbshme e asaj kohe.
Kjo ngjarje mbetet një dëshmi e rrallë e vuajtjeve dhe sakrificave që populli shqiptar ka përjetuar ndër vite, ndërsa “Vorri i Plakut” vazhdon të ruhet si një kujtim i heshtur në malet e Gjurgjevikut./Klina info/