“Vjosa Osmani po sillet si një fanse e zjarrtë e Albin Kurtit, e jo si u.d. e presidentit”

Njohësi i çështjeve politike, Fitim Salihu, e ka vlerësuar si tendencë autoritare dhe kërcënim deklaratat e ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit tha se do të detyrohet të ndërmarrë masa në rast se cënohet edhe njëherë integriteti i KQZ’së.
Salihu, në një prononcim për Gazetën Express, i ka cilësuar tutje sjelljet e Osmanit më shumë si “të një militante të Albin Kurtit, sesa të ushtrueses së detyrës së presidentit”.
“Ky është një standard i rrezikshëm. Asnjëherë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur që Presidenti ose U.D. Presidenti ta kërcënojë haptazi KQZ-në. Vjosa Osmani po vazhdon të sillet si një fanse e zjarrtë e një militante e Albin Kurtit dhe jo si U.D. e Presidentit. Deklarata e saj e sontme ishte kërcënim i hapur autoritar ndaj KQZ-se si një institucion i pavarur”, ka deklaruar politologu.
Ai, tutje ka thënë se të gjitha kauzat e ndërtuara deri më tani nga Osmani kanë rënë poshtë, pas deklarimit të saj të sotëm për ndërmarrjen e masave ndaj KQZ’së.
“Vjosa Osmani po ashtu dëshmoi se kauza e saj e luftës për të drejtat e grave ka qenë vetëm një fluskë deh mashtrim i shëmtuar. Ajo e ka përdorur viktimizimin gjinor për ta zhvilluar luftën e saj politike kundër LDK’së. Në momentin që bashkëpartiakët e saj të VV’së e sulmuan një grua, ajo heshti gjer më sonte. Kurse sonte, u bë goditësja e radhës ndaj një gruaje që udhëheq një institucion të pavarur. Kjo do të thotë se edhe kauza e çkapjes së shtetit e mosndërhyrjes në institucione të pavarura edhe kauza e mbrojtjes së grave aktive në jetën publike, ranë në ujë përballë magjepsjes dhe adhurimit ndaj liderit të saj të ri, Albin Kurtit”, ka përvijëzuar tutje Salihu.

Lexo edheBaraliu tregon a ka të drejtë Vjosa Osmani të shkarkojë Valdete Dakën (VIDEO)
Osmani përgjatë ditës së sotme ka thënë se në rast se abuzohet me KQZ’në, do të obligohet të ndërmarrë masa nga pozita e u.d. presidentit.
“I ftoj qytetarët të ruajnë maturinë dhe qetësinë që ta mbrojmë integritetin e procesit zgjedhor. Jam duke punuar afër me partnerët tanë që të kemi prezencën e tyre në këtë proces. Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ’së do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ’së dhe procesit zgjedhor”, ka deklaruar ajo me anë të një video-mesazhi në ‘Facebook’. /Gazeta Express/














