President i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar pas aksidentit të dy policëve që ranë me veturën e tyre në lumin Lepenc në Kaçanik.
I pari i vendit ka thënë se në këto momente i gjendet pranë familjarëve të të dy policëve, të cilët ende nuk janë gjetur.
Thaçi gjithashtu ka përgëzuar edhe FSK për punën që po bëjnë në kërkim të policëve.
“Në këto momente të vështira të pritjes, shpresës dhe dhimbjes, bashkëndjej me anëtarët e familjes së dy policëve që ende rezultojnë të humbur në lumin “Lepenc”, pas një aksidenti në magjistralen Kaçanik – Hani i Elezit.
I përgëzoj njësitet e FSK-së, të Policisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe qytetarët e shumtë, të cilët janë duke i kërkuar policët që nga orët e para të zhdukjes.”
Për këtë rast ka reaguar sot edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj
Haradinaj ka thënë se e ndanë shqetësimin me familjarët e policëve dhe se është i pikëlluar për rastin
“Është shumë pikëllues lajmi për zhdukjen e dy policëve të Kosovës në lumin Lepenc. Ndajë shqetësimin me familjarë dhe miq në këtë fazë shumë të vështirë të shpresës dhe frikës për fatin e policëve tonë.” ka shkruar Haradinaj
I pari i ekzekutivit ka thënë më tej se kjo ngjarje tregon që Policia janë gjithmonë në shërbim të popullit, e shpesh edhe sakrifikojnë për këtë punë, raporton GazetaBlic.
“Ngjarjet si kjo na bëjnë të mos harrojmë kurrë se policia e Kosovës është ajo që me shumë mund dhe shpesh dhe sakrificë kujdeset që ne të jetojmë në ambient të sigurtë.
Falënderoj të gjitha njësitë relevante, Policinë e Kosovës, FSK-në, zjarrëfikësit dhe të gjithë të përfshirët në kërkim të dy policëve tanë.” ka shkruar Haradinaj.
Ndërsa që Policia e Kosovës dhe njësitet e FSK-së kanë nisur sërish kërkimin për dy policët që humbën mbrëmë në Lumin Lepnc, pas aksidentit që pësuan.
Gashi i ka thënë Gazetës së kërkimet u ndaluan mbrëmë vonë për shkak të errësirës dhe kushteve atmosferike, por se tashmë kanë rinisur sërish.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Blic zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.
Ai ka thënë se kërkimin po e ndihmojnë edhe një numër i madh i qytetarëve që janë të brengosur për fatin e policëve.
Gashi ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalur edhe shumë qytetarë që po angazhohen për t’i gjetur policët.
“FSK-ja dhe të gjitha njësitet tjera kanë dalur, dhe kanë nisur me kërkimet. Ka edhe shumë qytetarë të angazhuar që po ndihmojnë, por deri tash s’ka asnjë rezultat”, ka thënë Gashi.
Kërkimet që kishin nisur mbrëmë menjëherë pas aksidentin, ishin ndërprerë rreth orës 04:00 të mëngjesit.
Gashi ka thënë gjithashtu se deri më tani nuk kanë asnjë informacion për detajet rreth aksidentit.
Deri tani janë nxjerrur nga uji vetura me të cilën është bërë aksidenti, si dhe janë bërë të ditur emrat e policëve që kanë pësuar aksident

