Tuesday, July 22, 2025
BallinaLajmeLajmet e Fundit“Vjedhje e së ardhmes”: Dëbimet me forcë të fëmijëve ukrainas në Rusi

“Vjedhje e së ardhmes”: Dëbimet me forcë të fëmijëve ukrainas në Rusi

Të ngjajshme

Kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, Ksenia Koldin ishte në përfundim të klasës së 11-të në Vovçansk, qytet rreth 70 kilometra larg Harkivit, qytetit ku ka lindur.

Gjashtë muaj më vonë, në gjendje lufte, ajo dhe vëllai i saj më i vogël janë detyruar të shkojnë në Rusi. Ata nuk kanë qenë në front lufte, mirëpo janë vetëm dy prej mijërave viktimave të luftës.

Më herët gjatë këtij muaji, Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut, e ka shpallur Rusinë fajtore për zbatim të një sistemi të organizuar për shkelje të të drejtave të njeriut, përfshirë dëbimin e fëmijëve me forcë.

Mirëpo, një raport i ri i institutit të sigurisë Globsec shkon një hap tutje, duke vënë në pah akuzat për synimin e Moskës që “të vjedhë” të ardhmen e Ukrainës.

“Taktika e Rusisë për ta përdorur si armë zhvendosjen e njerëzve dhe dëbimin e fëmijëve, përbën njërin prej sulmeve më shkatërruese ndaj popullsisë civile në historinë evropiane moderne”, është thënë në raportin e përpiluar nga Megan Gittoes, sipas së cilës kjo strategji i ekspozon miliona njerëz në botë ndaj rreziqeve për trafikim dhe shfrytëzim.

“Këta janë komponentë thelbësorë të strategjisë së luftës hibride të Kremlinit, e menduar për ta dobësuar qëndrueshmërinë demografike të Ukrainës, në atë që është shndërruar në konflikt të zgjatur”, është thënë në raportin e publikuar muajin e kaluar në Forumin Globsec.

Përderisa janë kryer sulme masive me dronë, përleshje në fushëbetejë dhe janë shkatërruar qytete, mijëra fëmijë ukrainas janë marrë prej shtëpive të tyre dhe janë dërguar në toka ukrainase që kontrollohen nga Rusia, apo në lokacione tjera në Rusi dhe Bjellorusi.

Disa janë dërguar për strehim nëpër familje ruse, apo në “kampe riedukimi”, derisa të tjerë, sikurse Koldin, kanë shkuar në shkollë në Rusi.

Ajo rikujton përvojat e saj, duke thënë që më shumë është indoktrinuar, sesa edukuar.

“Çdo të hënë kemi pasur klasën e ‘diskutimit të gjërave të rëndësishme’. Ajo ka të bëjë me propagandën ruse dhe se sa madhështore është Rusia. Më pas e kemi kënduar himnin kombëtar”, ka treguar ajo për Radion Evropa e Lirë.

Koldin ka qëndruar në shkollë për tre muaj dhe ka treguar se përgjatë asaj kohe mësuesit dhe administratorët e shkollës kanë tentuar ta bindin që ta marrë shtetësinë ruse, duke i thënë se do të përfitonte para dhe banim. Ajo ka refuzuar.

Rreth 19.500 fëmijë janë dëbuar në Rusi prej nisjes së luftës në Ukrainë më 2022, dhe vetëm 1.399 fëmijë janë kthyer në Ukrainë, sipas të dhënave të rrjetit Bring Kids Back UA (Kthejini fëmijët sërish në Ukrainë).

Rusia është akuzuar për ndryshim të emrave të fëmijëve ukrainas, me qëllim që familjarët t’i humbin kontaktet me ta.

Mariam Lambert, bashkëthemeluese e Fondacionit Emile, që punon në procesin e kthimit të fëmijëve të dëbuar me forcë, ka thënë se presioni që u është vënë fëmijëve ukrainas në Rusi është “i qëllimshëm dhe krim i organizuar”.

“Në Ukrainë, fëmijët shënjestrohen nga Rusia për t’ua tjetërsuar identitetin”, ka thënë Lambert në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“I gjithë synimi është që të krijohet një gjeneratë e re në Rusi. Ky është krim sipas Konventës së Gjenevës”.

Moska e ka mohuar se ka kryer ndonjë krim përmes zhvendosjes së fëmijëve, duke thënë se vetëm synon t’i mbrojë nga lufta.

Por, Gjykata Ndërkombëtare Penale e sheh ndryshe situatën.

Në mars të vitit 2023, ajo ka lëshuar urdhërarrestime kundër presidentit rus, Vladimir Putin dhe Komisionares së Rusisë për të drejta të fëmijëve, Maria Lvova-Belova.

Gjykata beson se ata janë përgjegjës për kryerje të krimeve të luftës, siç është dëbimi i paligjshëm dhe transferimi i fëmijëve gjatë luftës.

Avokati i Popullit në Ukrainë, Dmytro Lubinets, i cili përfaqëson shtetin në përpjekjet për t’i kthyer civilët dhe personelin ushtarak, ka thënë se Rusia nuk ka ofruar informacione lidhur me fëmijët nga Ukraina.

“Nga perspektiva jonë, ne e shohim shumë qartë synimin e dëbimit të fëmijëve ukrainas, që ata të shfrytëzohen si gjeneratë e re e ushtarëve rusë”, ka thënë Lubinets për Radion Evropa e Lirë.

“Dokumentet e tyre janë ndryshuar, të gjitha, përfshirë certifikatat e lindjes dhe të dhënat mbi shkollimin. Ata detyrohen të flasin vetëm rusisht dhe ta identifikojnë veten si rusë”, ka thënë ai.

Një hulumtim i kryer nga projekti hulumtues i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Skemat, ka gjetur në dhjetor të vitit të kaluar se Rusia e ka përdorur një organizatë të të rinjve paramilitarë, të njohur si Yunarmia, për të nxitur besnikërinë e adoleshentëve në pjesë të pushtuara të Ukrainës dhe për t’i përgatitur ata që të luftojnë në luftën e Moskës kundër vendlindjes së tyre.

Yunarmia “është krijuar me idenë specifike të riedukimit ushtarak, jo vetëm të fëmijëve rusë, por edhe të fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara”, ka thënë Kateryna Rashevska, avokate në Qendrën Rajonale për të Drejta të Njeriut, e cila është detyruar të shpërngulet nga Krimeja në Kiev, pas pushtimit rus.

Këta prindër që tentojnë t’i gjejnë fëmijët e tyre dhe t’i riatdhesojnë pas ndarjes, janë dëshmi për pretendimet e Lubinetsit.

Në raportin e Globsecut janë përmendur përvoja të shumë prindërve, të cilët kanë thënë se zyrtarët rusë vendosin pengesa dhe tentojnë të vështirësojnë kthimin e tyre.

“Kokëshpëlarë”

Njëra prej nënave, një grua e quajtur Tatyana, ka thënë se kur ka tentuar të sigurojë kthimin e djalit të saj, i cili është transferuar në një kamp në Krime më 2023, ajo është akuzuar nga zyrtarët rusë se ka vepruar në emër të inteligjencës ukrainase dhe është ndaluar për disa ditë.

Koldin ka thënë se është përballur me probleme tjera kur ka tentuar ta kthejë vëllain e saj, 14 vjeçar, pasi janë ndarë në Rusi.

Ai i ka kaluar pesë javë në një kamp veror dhe më vonë është shpërngulur te një familje e re ruse në Abinsk, qytet në rajonin e Krasnodarit.

Ajo beson se vëllait të saj “ia kanë shpërlarë trurin”.

“Ata i kanë thënë se në Ukrainë janë duke operuar nazistët, dhe që ata kanë dashur ta vrasin atë, që askujt nuk i duhet në Ukrainë, që ka luftë dhe që ai nuk duhet të shkojë atje”, ka thënë Koldin.

Fillimisht ai ka hezituar që të largohet, meqë ka bërë miq të rinj dhe është shqetësuar se çfarë e pret në Ukrainë, pasi ka dëgjuar sa e keqe është situata.

“Kemi biseduar për tri orë dhe unë kam qenë duke tentuar ta bindë që të largohet me mua. Ai nuk ka dashur të largohet”, ka thënë Koldin.

“Ai i ka thënë gjërat e njëjta, për prezencën e nazistëve, që ai dëshiron të qëndrojë atje, që ka luftë dhe bombardime”.

Kur më në fund është bindur, gruaja që e ka strehuar i ka thënë: “Shko, shko në Ukrainën tënde, sepse edhe ashtu shpejt do të bëhet Rusi”.

Ukraina e ka shndërruar kthimin e fëmijëve në një ndër temat kryesore në bisedimet për paqe me Rusinë.

Lubinets ka thënë se zyrtarët rusë hezitojnë t’i kthejnë fëmijët, “sepse ata e kuptojnë plotësisht që çdo fëmijë i kthyer është një dëshmitar potencial”.

“Ne duhet ta pranojmë që propaganda ruse funksionon tek ata çdo ditë”, ka thënë ai.

Ksenia Koldin ka thënë se i janë dashur muaj që vëllai i saj të riasimilohej.

Ajo tregon se vëllai i saj tani shkon në shkollë dhe jeton nën kujdesin e një “familjeje të mirë ukrainase”. Ata jetojnë bashkë në Kiev dhe e takojnë njëri-tjetrin në fundjavë.

Koldin ka thënë se vazhdon të luftojë për të tjerët që nuk kanë qenë aq me fat.

Ajo është ambasadore e organizatës Save Ukraine, dhe është zë i fëmijëve që janë dëbuar dhe kanë pasur përvoja të ngjashme./REL/

- Advertisement -

Të Fundit