Sot, në fshatin Studenqan të Suharekës, është vendosur gurthemeli për ndërtimin e Stadiumit të Qytetit në Komunën e Suharekës, investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vlerën prej rreth 11 milionë euro.
Duke e quajtur këtë lajm të jashtëzakonshëm për Suharekën dhe futbollin e sportin e Kosovës, kryeministri Kurti tha se ky stadium është i kategorisë 2 + sipas UEFA-s dhe do të ketë më shumë se 6500 ulëse.
Ai falënderoi në veçanti klubin futbollistik “Ballkani” i Suharekës, duke thënë se me sukseset e jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare e ka lartësuar imazhin e shtetit tonë, sportit e posaçërisht të futbollit vendor dhe me këtë stadium, ne, në një mënyrë, e lajmë një pjesë të borxhit shtetëror për këtë ekip të jashtëzakonshëm, që padyshim se po frymëzon, që sa më shumë të rinj e të reja të merren me sport, në veçanti me futboll dhe në këtë mënyrë t’i kontribuojnë edhe sportit edhe shëndetit.
“Klubi futbollistik Ballkani pa dyshim që ka nevojë për investime në infrastrukturën sportive futbollistike, prandaj edhe për këtë ne jemi këtu. Ky është investim i madh kapital, 11 milionë euro dhe tash presim që qytetarët e Suharekës, komuna këtu, ta përcjellin përditë, në mënyrë që punimet të shkojnë mbarë e sa më shpejt e në fund ndoshta të kryhen edhe para 750 ditëve, ndoshta edhe për më shpejt se dy vjet”, tha kryeministri Kurti.
Ministri Çeku, tha se ky investim është pjesë e një programi shumë më të madh të Qeverisë së Kosovës, jo vetëm i Ministrisë. Ai tha se buxheti për infrastrukturën e futbollit ka kërkuar zotim të veçantë të qeverisë dhe të kryeministrit, për çka u shpreh mirënjohës ndaj kryeministrit.
“Jam shumë i lumtur që Suharekës po ja nisim këtë investim shumë të rëndësishëm bashkë me fushën ndihmëse që tashmë është në përfundim e sipër. Pra këtu po zhvillohet një kompleks i rëndësishëm”, tha ministri Çeku, duke shtuar se talentet e rinj e kanë pritur infrastrukturën, në mënyrë që potenciali i tyre me qenë maksimal.
Kryetari i Komunës, Muharremaj tha se kjo ditë është shumë e rëndësishme për qytetarët e Suharekës, veçanërisht për gjeneratat e reja dhe Klubit “Ballkani”. Ai theksoi se ky është investimi më i madh në infrastrukturë që mbahet në mend në këtë komunë, dhe në emër të qytetarëve të Komunës së Suharekës i shprehu falënderime Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kurti ka premtuar se ky projekt do të përfundoj brenda 750 ditëve.
“U njoftuam që për 750 ditë duhet të kryhen të gjitha punimet e nevojshme, në mënyrë që ashtu siç dukej në projekt, të duket edhe në realitet”, ka shtuar Kurti. /Lajmi.net/