Institucionet publike në Kosovë, e sidomos ato të sektorit të shëndetësisë, vazhdimisht janë të kritikuara për neglizhencë në punë. Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Shtëpinë e Shëndetit, ku një qytetar ankohet se stafi mjekësor dhe ai ndihmës i kësaj qendre, nuk i kanë ofruar shërbimin e duhur mjekësor një pacienteje.
Një person me emrin Mejda Sopjani, e ka shpërndarë një video në profilin e tij në Facebook, ku ankohet se në Shtëpinë e Shëndetit në Lipjan, nëna e tij ishte detyruar të presë të kontrollohet të mjeku, derisa stafi i kësaj qendre e kishte filluar pauzën 30 minuta para kohe, shkruan Reporteri.net.
E pas këtyre raportimeve ka reaguar, drejtori QKMF-së në komunën e Lipjanit, Agim Krasniqi. Krasniqi ka mohuar se pacientes nuk i është ofruar shërbimi mjekësor pavarësisht se mjeku ndodhej në kohën e rregullt të pauzës.
‘Mjeku ka qenë në kohën e rregullt të pauzës, (pacientja ka marr shërbimin mjekësor menjëherë nga një mjek aty. Qytetari nuk është lajmëruar fare në recepsionin e QKMF-së, i cili është obligim i çdo pacienti të lajmërohet në sportel dhe pastaj të orientohet te mjeku ku do të marr shërbimin.
Infermieret kanë qenë në vendin e tyre të punës dhe me mirësjellje dhe pa asnjë paragjykim i kanë ofruar shërbimin e kërkuar shëndetësor duke e përcjell pacientin deri te ordinance e mjekut ku ka marr shërbimin e kërkuar”, ka thënë për IndeksOnline Krasniqi.
Ai madje ka thënë se e gjithë kjo është e vërtetuar nga kamerat e sigurisë në institucionin e QKMF-së.