Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, sot ka marrë pjesë në Samitin e Gruas Demokratike në Prishtinë.
Para qindra grave të Partisë Demokratike të Kosovës, Veseli ka thënë se ndjehet i frymëzuar nga të gjitha gratë e Partisë Demokratike të Kosovës që janë mbledh sot.
“Është koha për një fillim të ri për gratë në Kosovë dhe në PDK”, është shprehur ai.
Në një panel me gra, kryetari Veseli u është përgjigjur dhjetëra pyetjeve për rolin e grave në shoqërinë tonë.
Për rritjen e përfaqësimit të grave në PDK dhe në institucionet e Kosovës, i pari i PDK-së ka thënë sejemi krenarë për gjithçka që Partia Demokratike e Kosovës ka bërë për Kosovën.
“Ne i kemi promovuar gratë në pozita udhëheqëse në qeveri, ne i kemi mbështetur politikat për gratë, në familje dhe në punë. Unë i kam promovuar gratë në poste ministrore në qeverinë e fundit dhe nëse PDK-ja zgjidhet për të udhëhequr qeverinë e ardhshme, ne do të kemi edhe më shumë gra në pozita ministrore. Në PDK, unë kam kërkuar nga Justina për të ndihmuar në rekrutimin e grave që mund të marrin poste udhëheqëse në partinë tonë. Kam caktuar një synim që në 60 muajt e ardhshëm ne do ta rrisim pjesëmarrjen e grave në të gjitha degët e PDK-së. Kur të rritet vajza ime, dua që ajo të dijë se ajo mund të jetë çfarëdo që ajo dëshiron të bëhet – një ndërmarrëse, mjeke, avokate, fermere apo piktore”, ka thënë Veseli.
Kreu i PDK-së është pyetur edhe për turin e tij të dëgjimit me gratë ndërmarrëse.
Ai ka thënë se gjatë turit të tij ka dëgjuar nga gratë kërkesat e tyre për një zhvillim më të shpejtë ekonomik.
Veseli ka thënë se ato kërkonin edhe integrim të plotë të vendit në Bashkimin Evropian dhe një ushtri që mund të mbrojë popullin e Kosovës dhe të jetë një forcë për stabilitetin në rajon.
“Ato kërkonin një fillim të ri”, shtoi ai.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se ka takuar disa gra të jashtëzakonshme ndërmarrëse, fermere dhe anëtare të PDK-së.
“Ka politika të qarta që ne duhet t’i zbatojmë, por së pari duhet të jemi shumë të qartë me vizionin tonë. Partia Demokratike e Kosovës synon një Kosovë që fuqizon gratë drejt suksesit. PDK-ja synon një Kosovë ku gratë që zgjedhin t’i bashkohen fuqisë punëtore i kanë mjetet dhe trajnimin e duhur në dispozicion të tyre. PDK-ja synon një qeveri që do të jetësojë politikat që fuqizojnë gratë në çdo aspekt të qeverisjes”, ka thënë Veseli.
I pyetur për premtimin e tij për hapjen e vendeve të reja të punës, veçanërisht për gratë, kreu i PDK-së ka thënë se ky është prioriteti kryesor i tij dhe se fillimi i ri për gratë do të nis me vendet e reja të punës.
“Plani im ekonomik ka tri shtylla: investimin në bizneset e Kosovës, fuqizimin e grave dhe të rinjve për pjesëmarrje të plotë në ekonominë tonë, dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në mekanizma dhe tregje të tjera. Në Kosovë operojnë rreth 60,000 biznese. Nëse secila shton nga një vend pune, kjo do të nënkuptonte 60,000 vende të reja pune pa ndonjë investim të huaj. Ne duhet t’i ulin barrierat brenda qeverisë dhe t’i nxisim bizneset që të rriten”, ka thënë kryetari Veseli.
Ai ka shtuar se gratë e reja kanë qasje të theksuar në arsim, por kjo nuk po përkthehet në fuqinë punëtore.
“Ne duhet të përkushtohemi në politikat që integrojnë më shumë gra në fuqinë punëtore. Kjo fillon me trajnimet për punë. Unë angazhohem për krijimin e qendrave për trajnime profesionale, lehtësisht të qasshme, për gratë nga çdo komunë. Ne gjithashtu duhet t’i nxisim bizneset për t’i punësuar dhe trajnuar gratë. Unë angazhohem për uljen e taksave për vitin e parë të funksionimit formal të një biznesi në pronësi dhe të drejtuar nga gratë. Unë angazhohem në mbështetjen e bizneseve që drejtohen nga gratë me grante dhe qasje në kapital për nisjen e një biznesi. Unë angazhohem për të promovuar bizneset e grave në takimet bilaterale me donator të huaj, qeveri dhe investitorë të huaj”, ka thënë kryetari Veseli.
Më shumë se vetëm të përkrahim bizneset e grave dhe gratë ndërmarrëse, kreu i PDK-së ka thënë se duhet t’i ulim barrierat në të gjitha segmentet e qeverisë që ua pamundësojnë grave të bëhen pjesë e fuqisë punëtore dhe të krijojnë biznese.
Për mbështetjen e grave në sektorin e bujqësisë, i pari i PDK-së ka thënë se duhet përmirësuar qasja e grave në sektorin e bujqësisë përmes politikave të posaçme stimuluese.
“Është koha për një fillim të ri në bujqësi për Kosovën dhe gratë janë pjesë kyçe e kësaj. Ne kemi rreth 100,000 hektarë tokë në tërë Kosovën të gatshme për veprimtari bujqësore. Ne importojmë më shumë produkte bujqësore sesa që eksportojmë. Kjo duhet të ndryshojë drastikisht”, ka thënë ai.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se do të përkushtohet që të dyfishojë buxhetin për bujqësinë dhe të punojë me fermerët tanë për t’i ndihmuar ata të kenë qasje në kapital dhe në tregjet e huaja.