Veseli: Kosova, e përkushtuar në përmbushjen e vizionit për të qenë pjesë e BE-së

Sot në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar ceremonia e përmbylljes zyrtare të projektit të binjakëzimit “Përkrahja e mëtejme për Kuvendin e Kosovës“, projekt ky i financuar nga BE-ja, menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa i implementuar nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë.
Ceremoninë e drejtoi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cili në fjalën e tij bëri një elaborim të të gjithë projektit dhe shpalosi efekteve mjaft pozitive të tij në ngritjen e kapaciteteve të Kuvendit.
“Ky projekt i binjakëzimit kishte mision strategjik të ndihmojë në ndërtimin e një parlamenti funksional në Kosovë, si dhe ngritjen e strukturave dhe të procedurave të nevojshme për një proces të suksesshëm të integrimit në BE, me vëmendje të veçantë në Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim (MSA)”, theksoi sekretari Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ditën e sotme e konsideroi të veçantë për Kuvendin e Kosovës, pasi që, sipas tij, pas një pune intensive dyvjeçare, po përmbyllet me sukses ky projekt, nëpërmjet të cilit Kuvendi i Kosovës ka hedhur një hap të rëndësishëm në fushën e reformave institucionale e ligjore, në funksion të procesit të integrimit evropian të vendit tonë.
“Falënderojmë Bashkimin Evropian për mbështetjen e këtij projekti dhe Parlamentin e Hungarisë për implementimin e tij. Të gjitha fushat, në të cilat është zbatuar ky projekt, janë të rëndësisë vendimtare për avancimin e këtij procesi”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kreu i Kuvendit tha se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në përmbushjen e vizionit të qytetarëve të saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Veseli paralajmëroi se shumë shpejt Kuvendi i Kosovës do të përmbyllë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa shtoi se pret që edhe Bashkimi Evropian t’u përmbahet zotimeve të tij për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Qytetarët e Kosovës nuk janë as më shumë e as më pak evropianë se qytetarët e vendeve tjera të rajonit që tani gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shengen”, thekso Veseli.
Nënkryetari i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, Istvan Jakab, nga ana e tij, theksoi se për Hungarinë është kënaqësi ta ndihmojë Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Lexo edheA ka pasur ftesë për koncert të pavarësisë Dua Lipa, ja çfarë thotë ajo
“Unë mendoj që njëjtë sikurse dy projektet e mëhershme, janë arritur rezultate pozitive. Kemi pasur bashkëpunim të mirë me ju, sepse kemi ndjekur linjën e detyrave. Qëllimi ynë ka qenë që ta dizajnojmë një zgjedhje që i përshtatet nevojave të Kosovës dhe kjo më së miri dëshmohet nga plani i veprimit”, theksoi Jakap.
Ai shtoi se Kosova duhet të tregojë se është vend që mund t’i besohet.
“Çështjet që kanë mbetur të hapura duhet të zgjidhen dhe kjo është e vetmja mënyrë se si ju mund të integroheni në Evropë”, theksoi nënkryetari i Kuvendit hungarez.
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se strategjia e Bashkimit Evropian, e publikuar në shkurt, cek prioritetet, rrugën që duhet ta kalojnë vendet që aspirojnë integrimin dhe reformat e nevojshme. Në këtë aspekt, ajo tha se barra kryesore do t’i bie Kuvendit, i cili, sipas saj, duhet të ndërtojë konsensus ndërmjet partive politike.
“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Kuvendin e Kosovës dhe do të vëzhgojmë zbatimin e rekomandimeve”, theksoi Apostolova.
Po ashtu, me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe Zoltan Horvath, Drejtues i Ekipit të Asistencës Teknike të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë.
Para kësaj ceremonie, nënkryetari i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, Istvan Jakab, u prit në një takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.














