Një tragjedi që ndodhi më 21 nëntor të vitit 2022 në Pejë, po rikthehet sërish në vëmendje pas vendimit të sotëm të Gjykatës Themelore në Pejë.
Atë dite, kadeti i Policisë së Kosovës, Flordian Shabaj, ishte nisur në një ditë të zakonshme trajnimi, pa e ditur se ajo do të ishte udhëtimi i tij i fundit.
Vetëm 30 vjeç, plot ëndrra, pasion e dashuri për uniformën që mezi priste ta vishte si oficer, ai u bë viktimë e një aksidenti fatal që do t’ia ndalte përgjithmonë rrugëtimin drejt ëndrrës së tij.
Në atë ditë fatkeqe, automjeti i drejtuar nga Artan Duraku, me pasagjerin Nezir Duraku, u përplas me veturën që ngiste Flordiani. Përplasja ishte e fuqishme, dhe pak sekonda më vonë, rruga u shndërrua në një skenë tragjedie.
Dëshmitarët treguan se nga makina e dëmtuar dëgjoheshin britmat e dhimbjes së tij, teksa jeta i shuhej në vend.
IndeksOnline ka siguruar pamje nga momenti i ngjarjes.
Në video shihet se si dy të akuzuarit ndalojnë për disa çaste pranë automjetit të aksidentuar, ku ndodhej Flordiani, i gjallë, por i plagosur rëndë.
Dy të akuzuarit më pas largohen nga vendi i ngjarjes pa i dhënë as ndihmën më të vogël Flordianit.
Pamjet janë tronditëse. Familja e tij thotë se ato sekonda flasin më shumë se çdo dëshmi tjetër, “sepse aty shihet mungesa e njerëzores, mungesa e ndihmës dhe e përgjegjësisë”.
Pas më shumë se dy vjetësh proces gjyqësor, sot Gjykata Themelore në Pejë shpalli aktgjykimin ndaj dy të akuzuarve.
Artan Duraku u dënua me 5 vite e 6 muaj burgim, ndërsa Nezir Duraku me 10 muaj burgim.
Në dënimet është përfshirë edhe koha e kaluar në paraburgim.
Ky vendim, megjithatë, është pritur me zhgënjim dhe revoltë nga familja e Flordian Shabajt, e cila e konsideron dënimin tepër të lehtë krahasuar me humbjen e jetës së djalit të tyre.
Ata kanë paralajmëruar se do ta ankimojnë vendimin në instancat më të larta, duke kërkuar që drejtësia të vendosë sipas peshës së krimit.