Tuesday, July 15, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditVazhdon edhe sot i mbyllur për publikun gjykimi ndaj katër të akuzuarve...

Vazhdon edhe sot i mbyllur për publikun gjykimi ndaj katër të akuzuarve për fajde

Të ngjajshme

Seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku Enver Avdullahu bashkë me Rrahim Sallahun, Fatlum Abazin dhe Bujar Avdullahun, po ngarkohen se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave, në të cilat shuma edhe kishin marrë fajde, vazhdoi e mbyllur për publikun.

Një gjë e tillë u bë e ditur përmes njoftimit që Gjykata ka vendosur para sallës së gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Seanca e mbyllur për publikun”, thuhet në njoftim.

Të mbyllura për publikun kishin qenë edhe seancat e mbajtura më 1 dhjetor 2023, 5 shkurt 2024, 14 mars 2024, 17 prill 2024, 6 qershor 2024 dhe 20 maj 2025.

“Betimi për Drejtësi” në hulumtimin me titull “ Gjykatësi “fle” mbi lëndën e fajdesë”, i cili ishte transmetuar më 26 nëntor 2022, kishte treguar se gjykatësi Naseri Foniqi që nga 2 shkurti i vitit 2018, nuk kishte caktuar asnjë seancë në rastin e fajdesë e ku kishin kaluar afërsisht 5 vite.

Pas katër ditësh kur ishte transmetuar ky hulumtim, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani- Rama, më 30 nëntor 2022 kishte paraqitur kërkesë në KGJK për fillimin e hetimit disiplinor ndaj Foniqit, me pretendimin se i njëjti ka kryer shkelje disiplinore. Këshilli mori vendim për shqiptimin e vërejtjes publike me shkrim ndaj gjyqtarit Naser Foniqi.

Sipas vendimin të KGJK-së, të nxjerrë më 31 gusht 2023, gjyqtari Naser Foniqi lëndën në fjalë e kishte pranuar më 10 korrik 2017, seancën e parë e kishte caktuar më 13 shtator 2017, 6 nëntor 2017 dhe 5 shkurt 20118 dhe se nga kjo datë deri më 16 nëntor 2022 nuk kishte ndërrmarrë asnjë veprim tjetër lidhur me rastin.

Vendimin e KGJK-së, Foniqi e kishte atakuar në Gjykatën Supreme, me arsyetimin se vendimi i KGJK-së është përfshirë me aplikim të gabuar të ligjit dhe gabimeve faktike. I njëjti kishte kërkuar nga Gjykata Supreme ta aprovojë ankesën e tij dhe ta ndryshojë vendimin e KGJK-së duke konstatuar se nuk është përgjegjës për shkeljen që i ngarkohet.

Por, Supremja më 19 tetor 2023 ka marrë vendim me të cilin ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e gjyqtarit Naser Foniqi, duke e vërtetuar vendimin e KGJK-së.

Gjyqtari rastin e kishte dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit kishte marrë vendim, me të cilin e deklaroi si të papranueshme kërkesën e tij të paraqitur pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ia kishte reufuzuar ankesën e tij ndaj vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për shqiptimin e vërejtjes publike me shkrim për zvarritje të lëndës së fajdesë për afro 5 vjet.

Në njoftimin e Kushtetuteses, theksohet se Foniqit si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë i ishte caktuar një lëndë penale, e për të cilën nuk thirri seancë gjyqësore për 4 vite e 9 muaj. Për këtë, Këshilli Gjyqësor kishte iniciuar procedurë disiplinore.

“Për lëndën që i është caktuar, parashtruesi i kërkesës nuk ka thirrur seancë gjyqësore për një periudhë prej (4) vitesh dhe nëntë (9) muajsh, por ndërkohë ai ka thirrur seancë për lëndë të tjera, të cilat janë pranuar më vonë dhe i janë caktuar atij si gjyqtarit për procedurë të mëtejshme. KGJK-ja inicioi procedurën disiplinore kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të dyshimit se ai “si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është përgjegjës për shkelje disiplinore të përcaktuar në nenin 5, paragrafi 2, nën paragrafi 2.7 të Ligjit 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe pikën 5.5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë”, thuhet në njoftim.

Më pas, thuhet se pas themelimit të Panelit Hetimor, KGJK-ja shpalli Foniqin përgjegjës për shkelje disiplinore, duke i shqiptuar “sanksion disiplinor vërejtje publike me shkrim”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në prill të 2016-ës, ka ngritur aktakuzë kundër Enver Avdullahut, Rrahim Sallahut, Fatlum Abazit dhe Bujar Avdullahut, nën dyshimin se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjete motorike, në të cilat shuma kishin llogaritur dhe marrë fajde. Këto fajde, sipas aktakuzës, në borxhin që i dëmtuari e ka marrë, i janë llogaritur në shuma javore, mujore, të cilat sipas aktakuzës, disa herë kishin kaluar shumën e parave të marra borxh.

Me këtë, Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu dhe Fatlum Abazi po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 343, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo ku kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

Kurse, Enver Avdullahu dhe Bujar Avdullahu po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 343, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

- Advertisement -

Të Fundit