“Vatikani nuk do të marrë pjesë në Bordin e Paqes”, kështu u shpreh Kardinali Pietro Parolin, zyrtari më i lartë diplomatik i Selisë së Shenjtë, duke shtuar se përpjekjet për të trajtuar situatat e krizës duhet të menaxhohen nga Kombet e Bashkuara.
“Vatikani nuk do të marrë pjesë në Bordin e Paqes për shkak të natyrës së tij të veçantë. Duhet të jetë OKB-ja ajo që menaxhon këto situata krize. Kjo është një nga pikat mbi të cilat kemi këmbëngulur. Gjithashtu, Italia do të marrë pjesë si vëzhguese. Me sa duket, ka disa pika të ndërlikuara, çështje kritike që kërkojnë shpjegim. Gjëja e rëndësishme është që po përpiqemi të japim një përgjigje dhe të zgjidhim çështjet kritike”.
Vendimi i Vatikanit vjen para mbledhjes së parë të Bordit të Paqes në Uashington.
Edhe vende të tjera evropiane nuk e kanë pranuar ftesën e Presidentit amerikan për Bordin e Paqes, duke theksuar se kjo iniciativë mund të minojë aktivitetin e OKB-së.
Bordi i Paqes i Trump synon të adresojë konfliktet globale, me një fokus të veçantë në Rripin e Gazës, si një organ i pavarur i ndarë nga Kombet e Bashkuara.
Më shumë se 25 vende kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Argjentinën, El Salvadorin, Paraguain, Bjellorusinë, Bullgarinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Hungarinë, Egjiptin dhe Marokun.