BallinaLajmeUshtarakët e FSK-së shkëlqejnë në akademitë e NATO-s, diplomojnë me sukses në...

Ushtarakët e FSK-së shkëlqejnë në akademitë e NATO-s, diplomojnë me sukses në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA

Të ngjajshme

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës po vazhdon të dëshmojë nivel të lartë profesionalizmi në arenën ndërkombëtare, teksa dy oficerë të saj kanë diplomuar me sukses gjatë muajit prill në akademi prestigjioze ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka njoftuar se nëntoger Endi Sherifi ka përfunduar me sukses një nga trajnimet më sfiduese të këmbësorisë në Ushtrinë Britanike, kursin PCBC (Platoon Commander Battle Course), i cili u mbajt në Brecon të Uellsit. Për performancën e tij të dalluar, ai është vlerësuar me Mirënjohje të Veçantë nga Komandanti i Shkollës së Këmbësorisë.

Ndërkohë, në SHBA, oficerja Ermonda Meshi ka diplomuar nga kursi The Adjutant General Basic Officer Leader Course (AGBOLC), një program i avancuar që përgatit oficerët në fushën e menaxhimit të personelit dhe mbështetjes administrative në operacione ushtarake. Për arritjet e saj, ajo është nderuar me medaljen “United States Diplomatic Medal”.

Sipas Maqedoncit, këto suksese janë rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të pjesëtarëve të FSK-së, por edhe i investimeve në rritje në trajnim dhe edukim ushtarak. Zgjerimi i mundësive për shkollim në akademitë më prestigjioze të vendeve partnere po ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve profesionale të ushtrisë së Kosovës.

“Jemi krenarë për secilin ushtarak që përfaqëson vendin tonë me dinjitet në akademitë e vendeve aleate. Arritjet e tyre janë dëshmi e rrugëtimit tonë drejt një ushtrie moderne dhe në përputhje me standardet e NATO-s”, thuhet në njoftimin e tij.

Maqedonci ka thënë se FSK-ja po vazhdon të konsolidojë rolin e saj si forcë profesionale dhe e përgatitur, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e vendit, si dhe duke forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. /Lajmi.net/

Postimi i plotë:

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz