Ligjvënësit ukrainas kanë vendosur për ashpërsimin e kufizimeve ndaj dy agjencive kryesore kundër korrupsionit, duke rritur shqetësimet lidhur me zotimet e shtetit për të çrrënjosur korrupsionin.
Në Parlamentin prej 450 ulësesh, 263 deputetë votuan për ligjin që kufizon pavarësinë e Byrosë Kombëtare të Ukrainës Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO).
Ligji, që u propozua nga Partia Shërbëtorët e Popullit e presidentit Volodymyr Zelensky, bën që prokurori i Përgjithshëm të jetë de facto kreu i SAPO-s, duke ia hequr autoritetin kreut të agjencisë.
Ligji po ashtu lejon që prokurori i Përgjithshëm në mënyrë të njëanshme të mbyllë raste ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë dhe i jep atij të drejtën të transferojë rastet që po hetohen nga NABU-ja tek agjenci të tjera.
“Me këtë vendim, Parlamenti jo vetëm që ia heq shoqërisë njërën nga arritjet më të mëdha që nga Revolucioni i Dinjitetit – institucionet e pavarura kundër korrupsionit – por, gjithashtu minon besimin e partnerëve ndërkombëtarë të Ukrainës”, tha Transparency International Ukrainë në një njoftim pas votimit.
“E vetmja mënyrë për të zhbërë dëmin është që presidenti ta vendosë veton ndaj ligjit. Përndryshe, presidenti Volodymyr Zelensky do ta ndajë përgjegjësinë me Parlamentin për shkatërrimin e infrastrukturës kundër korrupsionit në Ukrainë”.
Këto sfida ligjore vijnë kur NABU-ja është përballur me disa sfida po ashtu. Më 21 korrik, agjencia për siguri të brendshme, SBU, arrestoi dy zyrtarë të NABU-së – një për spiunim ndaj Rusisë dhe një për lidhje të dyshuara biznesore me entitete ruse – dhe autoritetet kanë kryer bastisje duke shënjestruar punonjësit e kësaj agjencie.
SBU pretendoi se disa zyrtarë kishin lidhje me grupe të ndaluara politike, përfshirë edhe ish-partinë e një deputeti ukrainas në arrati.
NABU, e cila ka udhëhequr hetime të profilit të lartë, tha se operacioni i SBU-së shkoi përtej shqetësimeve legjitime të sigurisë, duke përfshirë çështje të palidhura si shkelje trafiku të kryera viteve më parë.
Transparency International i cilësoi bastisjet si një shembull të “presionit masiv” ndaj institucioneve kundër korrupsionit në Ukrainë.
Ambasadorët e vendeve të Grupit të Shtatë (G7) në Kiev, të cilët u takuan me drejtuesit e NABU-së menjëherë pas ngjarjes, lëshuan një deklaratë ku shprehën “shqetësime serioze” dhe thanë se do ta ngrinin çështjen drejtpërdrejt me udhëheqësit e Qeverisë.
Lëvizjet e fundit kanë ringjallur frikën më të gjerë se problemet e thella të Ukrainës me korrupsionin nuk po adresohen, ndërsa përpjekjet për të promovuar llogaridhënien dhe transparencën po përballen me kundërshtime. /REL/