U shënua Dita e Çlirimit të Vushtrrisë
Qytetarë, familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteran të UÇK-së, drejtues të pushtetit lokal dhe atij qendrorë, veprimtarë, të premten kanë marrë pjesë në ceremonitë me rastin e Ditës së Çlirimit të qytetit të Vushtrrisë.
Akademia me rastin e Ditës së Çlirimit është mbajur në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”, ku është vlerësuar lartë sakrifica e vajzave dhe djemëve më të mirë që sakrifikuan jetën për çlirimin e vendit.
Nënkryetari i Komunës, Dibran Perçuku, në fjalën e mbajtur në Akademinë kushtuar Çlirimit të Vushtrrisë, përveç të arriturave që janë bërë në Vushtrri, tha se beteja kryesore 18 vjet pas çlirimit dhe 9 vite pas pavarësimit të vendit, tash është zhvillimi ekonomik. “Duhet të jemi të vetëdijshëm se kanë kaluar 18 vite pas çlirimit, dhe 9 vite pas pavarësimit të vendit. Ende jemi shtet në tranzicion. Kjo nuk duhet të na ngushëlloj e as të na bëjë të kënaqur me atë që kemi arritur. Përkundrazi. Ne kemi plane zhvillimore të studijuara mirë dhe të cilat do ti realizojmë bashkarisht”, ka thënë nënkryetari Perçuku.
Lexo edheNis ndërtimi i palestrës sportive në Samadrexhë
Për sakrificën dhe vetmohimin që bënë bijtë dhe bijat më të mira të Vushtrrisë për çlirimin e Kosovës, në emër të familjeve të dëshmorëve ka folur, Gëzim Zuçaku kryetar i degës së Shoqatës së familjeve të dëshmorëve në Vushtrri. Ansambi i këngëve dhe valleve “Hasan Prishtina” ka shfaqur një program të pasur artistik me rastin e Ditës së Çlirimit.
Ndërsa ceremonia e 18 vjetorit të Çlirimit të qytetit të Vushtrrisë ka filluar me homazhet në Kompleksin e Dëshmorëve të Kombit dhe Martirëve, si dhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Stanoc, në Mitrovicë e po ashtu edhe në varrezat e Dëshmorëve në Prekaz.














