back to top
Saturday, August 2, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditTryezë për krizën në Kuvend me deputetët e gjitha partive: Kurti fajësohet,...

Tryezë për krizën në Kuvend me deputetët e gjitha partive: Kurti fajësohet, refuzohet kandidatura e Albulena Haxhiut

Të ngjajshme

Toyota prezanton automjetin e parë elektrik

Duket se është shkruar një kapitull i ri në...

Digjet një veturë në autostradën “Ibrahim Rugova”, intervenojnë zjarrfikësit

Një veturë u përfshi nga zjarri pasditën e sotme. Incidenti...

Shqiptarja që u përball me vrasësin në Manhatan: Ma drejtoi armën

CNN ka shkruar një artikull që për protagoniste ka shqiptaren,...

Vdes vëllai i legjendës së boksit, Muhammad Ali

Rahaman Ali, vëllai më i vogël i legjendës së...

Vendos Barcelona – Araujo qendron

Barcelona nuk e ka ndërmend ta shesë Ronald Araujon. Të...

Në një takim të organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), deputetët e partive parlamentare kanë dhënë qëndrime të ndryshme dhe shpesh të ashpra lidhur me krizën institucionale dhe bllokadën në Kuvendin e Kosovës.

Debati, që synonte të nxiste reflektim dhe kompromis për të dalë nga situata aktuale, tregoi se ndarjet mes pozitës dhe ish-opozitës mbeten të thella, transmeton lajmi.et

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, tha se bllokada është e pajustifikuar dhe se nuk mund të mbështetet në pretendime që sipas tij “nuk kanë bazë”. Sipas tij, kompromisi është thelbësor në politikë, por nuk mund të pritet që Gjykata Kushtetuese të zgjidhë çdo problem.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, u shpreh se “shteti nuk është në pauzë, por në grushtet”, duke akuzuar LVV-në për përpjekje të përmbysjes së rendit kushtetues.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se partia në pushtet po sillet sikur kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare Kuvendi është më e rëndësishme se vetë shteti, ndërsa deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, akuzoi VV-në për mungesë të vullnetit për ta formuar Kuvendin.

Nga Nisma Socialdemokrate, deputetja Arbëreshë Krasniqi kërkoi më shumë përgjegjësi nga të gjitha partitë, duke thënë se kriza po ndikon jo vetëm në funksionimin institucional, por edhe në besimin e qytetarëve dhe humbjen e mundësive financiare nga Bashkimi Evropian.

Në të njëjtën vijë, Eugen Cakolli nga KDI, tha se situata ka degraduar në një “garë për fajësi”, ndërsa theksoi se mungesa e përpjekjeve të sinqerta për kompromis ka zgjatur bllokadën.

Komunikata e plotë:

IKD dhe FES organizuan takim diskutues me partitë politike për zhbllokimin e krizës institucionale në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 1 gusht 2025 – Friedrich Ebert Stiftung (FES), Zyra në Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), organizuan sot një takim diskutues me deputetët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me qëllim të analizimit të situatës aktuale politike dhe institucionale dhe identifikimit të mundësive për dalje nga bllokada që ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kushtetuese.

Takimi ne te cilin u diskuta tema me titull: “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”, mblodhi përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe medieve. Diskutimi u përqendrua në analizimin e përgjegjësive të secilës palë, pasojave të krizës institucionale dhe mungesës së funksionalitetit të Kuvendit, si dhe nevojës për reflektim dhe pjekuri politike.

Në fjalën e tij hyrëse, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, tha se përgjegjësinë më të madhe për bllokadën në Kuvendin e Kosovës e ka partia e parë, e cila është Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Ai theksoi se shtetet partnere të Kosovës janë duke bërë thirrje vazhdimisht që të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të kenë një partner institucional për të çuar përpara politikat zhvillimore dhe reformat.

“Partitë politike do të duhej të reflektonin dhe pa pikë dyshimi këtu përgjegjësia bie në bazë të fuqisë politike që secila parti politike ka në Kuvendin e Kosovës. Këtu nuk amnistohet, por përgjegjësinë më të madhe e ka Lëvizja Vetëvendosje me 48 deputetë, të cilët do të duhej të gjenin një zgjidhje për të dalë nga ky ngërç politik që besoj se është duke kaluar në një kaos institucional. Sa më shumë vonohemi, pasojat do të jenë më pak të rikuperueshme.”

Miftaraj foli edhe për vendimin e fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka përcaktuar në mënyrë të qartë se ushtrimi i pozitës së deputetit dhe ministrit njëkohësisht është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjin, duke shtuar se ministrat dhe kryeministri çdo vendim që e marrin, e bëjnë në kundërshtim me ligjin.

Ai rikujtoi se Kosova është në pritje të një numri të madh të marrëveshjeve që kanë të bëjnë me asistencë financiare nga Bashkimi Evropian dhe vende të tjera.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka pasur vazhdimisht qëndrimin që partitë politike nuk duhet të presin mrekulli nga Gjykata Kushtetuese, sepse ajo edhe nëse merr një vendim, ai vendim duhet, në fund të fundit, me u zbatu nga partitë politike.”

“Gjykata Kushtetuese përcakton procedurat dhe në njëfarë mënyre ofron zgjidhje në bazë të Kushtetutës, por zgjidhja në fund duhet të jetë te partitë politike, të cilat duhet të dalin nga vetja e tyre për të gjetur një kompromis.”

Egzon Osmanaj, menaxher i programit në Friedrich Ebert Stiftung (FES), tha se bllokadat parlamentare nuk janë thjesht çështje procedurale, por ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.

 “Demokracia jonë është e re, dhe gjitha këto sfida janë pjesë e procesit të forcimit, por është detyrë e partive politike, shoqërisë civile, mediave, para së gjithash pushtetit dhe opozitës, që të sigurojnë që demokracia nuk po dëmtohet.”

“Nuk ka demokraci pa debat dhe nuk ka demokraci pa ndërtuar ura për të kaluar dallimet politike.”

Në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së, deputeti Nezir Kraki theksoi se nuk e sheh të udhës që bllokada të vazhdojë mbi bazën e disa pretendimeve që, sipas tij, nuk kanë bazë.

“Situata mundet me ndryshu, votat munden me ndryshu edhe përqindjet. Prandaj, nuk më ka dalë e udhës mua që të bllokohet i gjithë procesi, të bllokohet Kosova, me pasoja që mund të jenë edhe më të rënda, ditëve ose javëve që vijnë. S’më ka dalë e udhës që kjo bllokadë të realizohet dhe të shkojë kaq gjatë mbi bazën e një apo dy pretendimeve që nuk kanë bazë.”

“Duhet që kompromisi të jetë i vetëkuptueshëm në politikë, kjo kërkon kulturë politike më të lartë, që konsensusi të realizohet vetvetiu. Nuk e kemi ende atë nivel këtu, sepse nuk mundet tash Gjykata Kushtetuese të llogaritë në mirësjelljen e partive politike. Unë nuk jam që Gjykata të na transferojë neve njëfarë të drejte me u marrë vesh.”

Nga Partia Demokratike e Kosovës, deputetja Vlora Çitaku tha se shteti nuk është në pauzë, por në grushtet.

“Çfarë po shohim se disa muaj është grushtet, është përpjekje për të përmbysur në plotëni rendin kushtetues në Republikën e Kosovës.”

“Për mua dhe shumë prej nesh, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është thjesht një objekt me tulla ku shkojmë, ulemi dhe në fund të muajit marrim rrogën. Ai është vendi ku kemi shpallur Pavarësinë, ku kemi miratuar Kushtetutën, kemi krijuar institucionet, kemi ratifikuar marrëveshjet e rëndësishme ndërkombëtare dhe kryesisht z. Kraki me konsensus.”

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, është duke insistuar që Albulena Haxhiu, e propozuara për kryetare të Kuvendit, është më e rëndësishme se shteti, demokracia dhe Republika.

“Ata insistojnë se Albulena Haxhiu është më e rëndësishme se çdo gjë, se demokracia, se shteti, se Republika e çdo gjë. Na falni, por ne nuk pajtohemi me një gjë të tillë.”

“Nganjëherë kërkesa ndaj partive ish-opozitare po i bie sikur ‘nënshtrohuni’. Na vjen keq, por ‘nënshtrohuni’ nuk e kemi në plan me u nënshtru.”

“Pajtohem me parafolësen, por më duhet ta rendoj dozën sepse nuk është vetëm grusht shtet, por është vetë-grushtet, sepse grushtetin po e bën partia që është në detyrë.”

Lahi Brahimaj, deputet i AAK-së, tha se kryeministri në detyrë dhe deputetët e tij po e mbajnë këtë gjendje për të kapur çdo nivel të institucioneve.

“Interesi i VV-së nuk ka qenë formimi i Parlamentit. Sepse nga 54 seanca, mbi 50 prej tyre kanë qenë jo të plota për shkak të mungesës së deputetëve të VV-së.”

“Aleanca, që nga dita e parë, ka propozuar zgjidhje. Unë personalisht kam propozuar dy emra: zonjën Shqipe Selimi dhe zonjën Saranda Bogujevci. Më vonë, edhe z. Haradinaj, duke parë situatën, e ka propozuar z. Glauk Konjufca. Partitë e tjera po ashtu kanë ofruar shumë zgjidhje, por gjithmonë është insistuar në kandidaturën e zonjës Haxhiu.”

“Vendimi ka lënë shumë hapësirë për interpretim. Gjykata thotë të kthehemi në praktikat e mëparshme; votimi i fshehtë lejohet nëse fillon nga seanca e parë dhe nëse pajtohen të gjitha partitë.”

Arbëreshë Krasniqi, deputete e Nismës Socialdemokrate, tha se Kosova ka nevojë për një debat konstruktiv dhe se përgjegjësia është e përbashkët.

“Kur dikush nuk pajtohet me dikë, rreziku është i papajtueshmërisë me vetveten. Gjithmonë duhet të ndalemi para se t’i drejtojmë gishtin dikujt, në këtë rast partisë së parë fituese, kemi tepër nevojë që të ndalemi dhe t’ia drejtojmë gishtin vetes, në kuptimin e kërkesës për përgjegjësi dhe të atij besimi të qytetarëve që duhet ta përkthejmë në mundësi institucionale dhe zhvillim ekonomik.”

“Secili subjekt politik është munduar dhe e ka dhënë angazhimin, por duhet ta them se ka munguar mundësia për të gjetur bashkëpunim dhe konstruktivitet, e njëkohësisht nuk është dhënë mundësia që të vazhdohet tutje.”

“Përveç që po humb 900 milionë euro të planit për rritjen ekonomike të Bashkimit Evropian, Kosova po përballet edhe me humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet e saj.”

Eugen Cakolli, nga KDI, tha se për herë të parë në historinë e Kosovës gara politike është kthyer në garë për fajësi.

“Problemi më i madh është që, për herë të parë në historinë e Kosovës, e kemi një situatë kur gara nuk është kush po i formon institucionet, por kujt po i mbetet faji në fund për dështimin e formimit të tyre.”

“Për herë të parë kemi një Gjykatë Kushtetuese që ua rikujton partive politike, veçanërisht atyre që kanë fituar më së shumti vota, se kompromisi është vlera kryesore e demokracisë. Jo medoemos konsensusi, sepse jo gjithmonë pajtohemi për gjithçka, por kompromisi është nyja kryesore në këtë situatë.”

“Unë nuk e kuptoj se çfarë ka ndryshuar nga ajo kohë. Mbase ka ndryshuar dëshira, apo mungesa e saj, për të formuar një qeveri me 61-62 vota. Por në parim, ajo që nuk kemi parë gjatë javëve apo muajve të fundit janë përpjekjet e sinqerta për kompromis.”

“Ndonëse ka pasur oferta nga të gjitha anët, në thelb asnjë prej tyre nuk ka qenë e sinqertë.”

Diskutimi përfundoi me thirrjen që partitë politike të reflektojnë urgjentisht për të ndalur degradimin institucional dhe për të siguruar funksionalitetin e Kuvendit, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe të ardhmes demokratike të vendit./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit