Derisa Kosova po përballet me krizën më të thellë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga paslufta, tre udhëheqësit më të lartë institucionalë ndodhen aktualisht në SHBA – por jo në të njëjtën linjë dhe as me ndonjë koordinim të dukshëm mes tyre.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme në detyrë Donika Gërvalla-Schwarz ndodhen në New York, në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por aktivitetet e tyre po zhvillohen në mënyrë të shpërndarë, të fragmentuar dhe pa ndonjë strategji të përbashkët në raport me interesin shtetëror të Kosovës – sidomos në një periudhë kur diplomacia kosovare ka nevojë për qartësi, unitet dhe sinjale bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarë, transmeton lajmi.net.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja Gërvalla, të cilët kanë pasur përplasje të vazhdueshme me zyrtarët amerikanë, po zhvillojnë takime me liderë evropianë dhe diplomatë nga vende të Lindjes së Mesme, e me homologë nga rajoni.
Kurti ka takuar kryeministrin e Belgjikës dhe ministrin e Jashtëm të Sulltanatit të Omanit, ndërsa Gërvalla është parë në takim me homologen e saj shqiptare, Elisa Spiropali.
Një tjetër takim që është bërë publik nga zyra e Kurtit është ai me kongresistin republikan Keith Self, zhvilluar në Konsullatën e Kosovës në New York.
Në anën tjetër, Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar takimin më të rëndësishëm deri më tani me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marcus Rubio. Megjithatë, asnjë detaj nuk është bërë publik nga ky takim – as nga Zyra e Presidentes, as nga Departamenti i Shtetit – çka lë të kuptohet se nuk ka pasur ndonjë rezultat të prekshëm apo mesazh pozitiv për Kosovën. Madje u supozua se në fakt fotografia e takimit të Osmanit me Rubio-n u bë jashtë zyrave të takimit, por në korridore derisa po kalonin për të zhvilluar takime të tjera.
Mungesa e koordinimit institucional vjen në një moment kritik për vendin: Dialogu Strategjik me SHBA-të është pezulluar, ndërsa Kosova është përjashtuar nga proceset kyçe të bashkëpunimit të sigurisë me Uashingtonin, si pasojë e qasjes konfrontuese dhe shpesh të padëgjueshme të Qeverisë Kurti ndaj kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë – sidomos për çështjen e veriut të Kosovës dhe menaxhimin e tensioneve atje.
Në vend të një zëri unik diplomatik, Kosova në New York po paraqitet me tri agjenda të ndara, pa një narrativë të përbashkët, dhe më problematikja – pa përfaqësim serioz në takimet me nivelin e lartë amerikan. Në kohën kur vendet e rajonit po shfrytëzojnë Asamblenë e OKB-së për të forcuar pozitat e tyre ndërkombëtare, diplomacia kosovare po lë përshtypjen e një skene të brishtë, të improvizuar dhe të paintegruar.
Në vend të një paraqitjeje të bashkuar për të riparuar marrëdhëniet me Uashingtonin, ajo që vërehet është një moskoordinim alarmues, që jo vetëm dobëson pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, por thellon edhe më shumë mosbesimin e aleatëve ndaj institucioneve të saj.
E se Kurti dhe Gërvalla nuk kanë marrëdhënie aspak të afërta më me Osmanin, u dëshmua disa herë radhazi./Lajmi.net/