Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në bashkëpunim me Stacionin Policor të Malishevës, ka arrestuar një shtetas kosovar të dyshuar, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar.
I dyshuari, përmes INTERPOL-it, ka qenë në kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, për vepra të rënda penale, përfshirë trafikimin e narkotikëve në formën e grupit të strukturuar kriminal, futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, si dhe veprime të tjera kriminale të sanksionuara sipas Kodit Penal të Shqipërisë.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, për të vazhduar më pas me procedurat ligjore të parapara.
Policia e Kosovës falënderon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe qytetarët për mbështetjen në kapjen e personave të kërkuar. /Lajmi.net/