back to top
Wednesday, October 15, 2025
BallinaLajmeTirana bëhet zë i UÇK-së, thirrje për mobilizim para protestës së 17...

Tirana bëhet zë i UÇK-së, thirrje për mobilizim para protestës së 17 tetorit

Të ngjajshme

Në prag të protestës për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mbahet më 17 tetor, në Tiranë u zhvillua një konferencë e organizuar nga “Shoqata Tirana”, ku morën pjesë përfaqësues nga shoqëria civile, organizata të veteranëve dhe personalitete nga Kosova dhe Shqipëria.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në fjalën e tij akuzoi Gjykatën Speciale në Hagë si politike, selektive dhe të njëanshme. Ai deklaroi se kjo gjykatë mbështetet në trillime si raporti i Dick Martit, i cili sipas tij është financuar nga Serbia dhe Rusia.

“Ne kemi bërë një protestë në datën 7 gusht në Kosovë. Ne e kemi zjgjdhur protestën në Shqipëri, pasi jemi një komb dhe një gjak, një flamur. Arsyeja që ne kemi thirrur protestën gjithëkombëtare në Shqipëri, është se Adem Jashari dhe celulat e para të UCK, që ishin në shtetin tonë, se unë e konsideroj shtetin tim, gjetën strehën këtu, ku punuan për ta çliruar Kosovën nga hordhitë serbe. Kështu që unë iu falënderoj për angazhimin që do të merrni në 17 tetor, për të protestuar ashtu si na ka hije. Protesta ka karakter gjithëkombëtar. Ne kërkojmë drejtësi dhe jo politikë. Ajo gjykatë është politike, selektive e njëanshme dhe përndjek vetëm anëtarët e UÇK-së. Ajo gjykatë ka devijuar nga rruga. Arsyeja është e thjeshtë, flitet për një shtëpi të verdhë në Shqipëri. Ndoshta shtëpia e verdhë ekziston si objekt, por jo si spital ushtarak i kohës. Këto janë gënjeshtrat e Dick Martit, që është financuar nga Serbia dhe Rusia”, tha kreu i OVL-së Hysni Gucati.

Edhe kryetari i Invalidëve të Luftës nga Kosova, Fadil Shurdha, i bëri thirrje shqiptarëve kudo që ndodhen të bashkohen në protestë.

“Do të ju bëj të gjithëve atyre që në datë 17 në orën 17, të na bashkohen dhe të na ndihmojnë që të shprehim pakënaqësinë tonë kundër kësaj gjykate, e cila e ka rënduar Kosovën dhe e rëndon politikisht, moralisht dhe sidomos ish-luftëtarët e UÇK-së. Ndaj të gjithë ju shoqatat dhe populli i Shqipërisë dhe i Kosovës, Maqedoni, Mal të zi dhe të gjithë diaspora, i bëj thirrje që na bashkohen në protestën në Sheshin Skënderbej”, tha Shurdha.

Nga Shqipëria, kreu i “Shoqatës Tirana”, Ruzhdi Keci, ftoi të gjitha shoqatat shqiptare të mobilizohen maksimalisht për të garantuar një protestë me përmasa të mëdha.

“Duke qenë se në jemi vendi pritës na takon të bëjmë punë tonë. Kryetarët e shoqatave si të zgjedhur të komiteteve, duhet të njoftojnë komitetet përkatëse. Me qëllim që kontributi i shqiptarëve në këtë miting madhështor, të shfrytëzohet dhe të japë rezultatin e vetë”, u shpreh ai.

Në këtë protest pritet të marrin pjesë figura të larta shtetërore, mes tyre kryeministri I Shqipërisë Edi Rama, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, si dhe ministra dhe deputetë të mazhorancës. Ndërkohë, Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka konfirmuar ende nëse do të marrë pjesë.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz