Ekonomia e jashtme e Kosovës ka shënuar një rritje të deficitit tregtar prej 7,7% në muajin gusht 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar në gusht të këtij viti arriti në 536,8 milionë euro, nga 498,5 milionë euro sa ishte në gusht 2024. Eksporti mbulon importin me 12,4%.
Eksporti i mallrave në muajin gusht 2025 kishte vlerën 76,2 milion euro, ndërsa importi 613,1 milion euro,e që është një rënie prej (-8,7%) për eksport, si dhe një rritje prej 5,3% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 18,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,8% e përbëjnë produktet minerale; 13,8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 7,5% e përbëjnë produktet bimore, etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 15,5% e përbëjnë produktet minerale; 13,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,1% e përbëjnë mjetet e transportit; 11,4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 8,7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.
Ndërsa sa i përket eksporteve të Kosovës në vendet e BE-së ato arritën në 23,4 milion euro, ose rreth 30,7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-2,6). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania (11,4%), Holanda (2,4%), Italia (2,1), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 261,7 milion Euro, ose 42,7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7,7%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga Gjermania (14,0%), Italia (4,2%), Polonia (3,9%), etj.
Ndërkaq eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 38,2 milion Euro, ose 50,1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-12,6%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (22,4%), Maqedonia e Veriut (13,0%), Serbia (7,7%), Mali i Zi (5,2%),
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 77,9 milion Euro, ose 12,7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 4,5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,1%), Shqipëria (3,6%), Serbia (3,0%).
E sa i përket eksporteve të Kosovës me vendet e tjera të botës ato arritën në 14,7 milion euro, ose 19,2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport janë Zvicra (10,5%) dhe Turqia (3,7%).
“Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 273,5 milion Euro, ose 44,6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (14,5%) dhe Turqia (12,9%)”, thuhet në raportin e ASK-së./Indeksonline/