Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti duhet t’i përgjigjet ftesave që po i bën për të diskutuar për gjendjen në Kosovë.
Ai ka konfirmuar se Kurti ka refuzuar ftesën edhe herën e kaluar e edhe sot.
Ndërsa për të ka dhënë një mesazh.
“Për fat të keq edhe pse kryeministri Kurti dhe kryetari i VV kishte konfirmuar takimiN, 5 minuta para tAkimit ka konfirmuar për anulimin e tij. Por përsëri në shërbim të obligimit të përgjgejësive edhe dje ka pasë kohë të bisedohet për zhvillimet e reja dhe dramatike për vendin, më tepër dramatike se çdo vit të këtyre 20 vitet e fundit. Edhe sot kishte refuzim për të ardhur në takim në 3 apo 4 mundësitë për tu takuar. Do ishte me interes që të gjithë të shpenzojmë energji për përafrim të hapave që duhet ndërmarrë. Kosova nuk është pronë e një individi, është në përgjegjësinë e çdo lideri me përgjegjësi qytetarë e parlamentare. Duhet të punojmë e të shkojmë përpara me qëndrime unike, si forcimi i shtetit brenda, zhvillimi ekonomik, punësimi dhe ruajtja si sytë e ballit e partnerit strategjik të partnerit përendimorë, në veçanti në adresën e kontributit madhor në lirinë e Kosovës, me SHBA. Prandaj, mesazhi është që kryeministri duhet të merr vendimet që i takojnë dhe janë në përputhshmëri me interesin e qytetarëve të Kosovës dhe të mos vonohet në vendimmarrje që e çojnë vendin në drejtim të gabuar historik, por në atë drejtim që të jemi pjesë e NATO-s dhe e BE-së”, tha ai, raporton GazetaBlic.
Ndërsa ka komentuar edhe rrezikimin e partneritetit me ShBA-në, Thaçi tha se është i vetmi partner që ka qëndruar krah Kosovës kur edhe tjerët janë tërhequr nga mbështetja.
“As vetë liria e as shteti, as ekzistenca jonë nuk ka kuptim pa partneritetin tonë strategjik në SHBA. Jemi dëshmitarë se e vetmja alternativë e jona është BE-ja, por jemi dëshmitarë se të tjerët mund të na lënë edhe në gjysmë të rrugës, siç na kanë lënë, siç na kanë dështu në mosliberalizimin e vizave dhe i vetmi partner që na ka qëndru afër në kohë më të rënda ka qenë SHBA”.
Thaçi shtoi se ftesa është e hapur për Kurtin kurdo që ai ka kohë.
“Shpresoj që kryeministri të vijë të takohet, jo pse e ka obligim, por përgjegjësi edhe si lider i partisë edhe si kryeministër”.