Në konferencën e mbajtur në Berlin në mes të kancelares Angela Merkel dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ky i fundit komplet konferencën ia kushtoi dialogut me Serbinë, derisa Merkel nga ana tjetër foli edhe për luftimin e korrupsionit dhe papunësinë në Kosovë.
Tema qendrore për Hashim Thaçin ishte dialogu, pasi që gjatë tërë konferencës që e zhvilloi me kancelaren Angela Merkel në Berlin, fokusin e pati në dialogun me Serbinë.
Angela Merkel, megjithatë, foli për luftimin e korrupsionit në Kosovë dhe për uljen e papunësisë.
Presidenti Thaçi tha se takimi me kancelaren Merkel konfirmon marrëdhëniet miqësore në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.
Ai tha se Kosova ndihet e obliguar se si shtet i ri të japë kontribut në shërbim të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Jetike është edhe normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi, duke shtuar se duhet të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura në mes të dyja vendeve, shkruan Gazeta Express.
“Porosia imë është se ne jemi gati si Kosovë të hapim këtë kapitull, për të bërë hapin vendimtar për dialogun me Serbinë dhe të arrijmë marrëveshje”, tha Presidenti.
Presidenti në konferencë me Merkel para gazetarëve tha se faza përfundimtare e dialogut nuk do të jetë fare e lehtë as për Kosovën dhe as për Serbinë.
“… por nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara për asnjërin shtet. Bashkë duhet ë gjejmë mënyrë që përmes marrëveshjes të gjendet paqe”, tha Thaçi.
Presidenti tha se marrëveshjet duhet të përfundojnë me njohje reciproke sepse “vetëm kjo mundëson hapjen e kapitujve të ri në mes të Kosovës dhe Serbisë”./GazetaExpress/