Në mbledhjen e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, ku sot raportoi ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, u shtrua çështja e “mbylljes së mundshme të universiteteve”, të cilën ky i fundit e quajti keqkuptim të mediave.
Ai siguroi se nuk do të ketë mbyllje të universitetit publik, por theksoi se do të përkushtohen që të përmirësojnë gjendjen e pa tolerueshme në të cilën ndodhet sot UP-ja.
Po ashtu, ministri Bytyqi shprehu pakënaqësinë me kolegjet private për të cilat tha se nuk janë në nivelin e duhur, ndërsa bëri thirrje që drejtuesit e tyre të vendosin rend dhe rregull në shtëpitë e tyre, sepse nuk janë mirë.
Ministri Bytyqi raportoi para komisionit edhe për mundësinë e organizimit të një provimi shtetëror për të klasifikuar studentët, të cilët diplomojnë, pa prekur notën mesatare të tyre.
Edhe këshilltari i ministrit të Arsimit, Arben Dermaku theksoi se nuk ka shuarje të universiteteve publike, porse ka organizim në formë të kampuseve. Kështu sipas tij, nuk humbasin asgjë studentët, vetëm bëhet një organizim më i mirë menaxhues.
Sipas tij, të gjitha universitet duhet të kenë karakteristikat e veta. Ai shpalosi dy opsione para komisionit, ku sipas të parës, Kosova do të kishte dy universitete publike, një në Prishtinë dhe një në Dukagjin. Ndërsa sipas tij, mundësia e dytë është që universitetet aktuale t’i profilizojnë.
“Nuk ka mbyllje të asnjë programi, nuk mbetet asnjë profesor pa punë. Kjo është tendenca dhe qëllimi. Ideja është që të bëhet vetëm riorganizimi menaxherial në kuptimin e thirrjeve akademike që merr stafi. Mendohet që në Dukagjin të kemi nga tri fakultete në secilin kampus. Do të thotë Pejën e kemi profilizuar për ekonomi dhe turizëm, ku do të jenë tre dekanë dhe një prorektor. Në Gjakovë do të jenë tre dekanë dhe rektori me ekipin e vet. Në Prizren do të jenë tre dekanë dhe një prorektor”, theksoi ai.
Anëtari i komisionit të Arsimit, Nezir Çoçaj, u shpreh i rezervuar sa i përket ndarjes së universiteteve në dy regjione, teksa theksoi se me këto kushte çfarë janë në UP është e pamundur të ketë cilësi të mirë në universitetin publik.
“Numri i studentëve në UP është shumë i madh, rreth 50 mijë studentë i kemi. Është e pamundur me pas cilësi të duhur me këto mundësi. Unë kam pritur që do të takoheni më rektorët dhe do të kuptoni se për çka kanë nevojë, sidomos të Prishtinës, por edhe të tjerëve, sepse unë e di që sipas rregullave tuaja juve ju takon t’i mbështesni. Mua më ka shqetësuar fakti që në deklaratat tuaja i keni paracaktuar dy universitete publike, pa e dhënë mendimin përfundimtar Komisioni për Qëndrueshmëri të Cilësisë”, tha ai.
Ndërsa Albulena Balaj- Halimi tha se versioni i parë i propozuar nga Dermaku është më i rëndësishëm. Sipas saj, duhet të jenë kampuse në secilin qytet e jo që secili universitet të ketë çdo drejtim.
Ndryshe, Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji miratoi dhe procedoi në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të MASHT-it dhe Stitching Spark-ut të Holandës (SPARK) mbi mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit Mitrovica. Projekt ky që kërkon mbështetje financiare në vlerë prej 600 mijë euro për secilin vit kalendarik