Të lindurit jashtë Zvicrës rrezikojnë ta humbin shtetësinë nëse nuk veprojnë para moshës 25-vjeçare

Rregulli prek personat që kanë lindur jashtë Zvicrës, posedojnë shtetësinë zvicerane dhe një shtetësi tjetër, si dhe nuk i përmbushin kërkesat ligjore brenda afatit të përcaktuar
Çdo vit, mijëra të rinj zviceranë që jetojnë jashtë vendit mbushin 25 vjeç.
Për një pjesë prej tyre, kjo moshë përbën një afat vendimtar, pasi nëse nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm, mund ta humbin automatikisht shtetësinë zvicerane, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Rregulli prek personat që kanë lindur jashtë Zvicrës, posedojnë shtetësinë zvicerane dhe një shtetësi tjetër, si dhe nuk i përmbushin kërkesat ligjore brenda afatit të përcaktuar. Kjo dispozitë nuk zbatohet ndaj personave që kanë vetëm shtetësinë zvicerane, në mënyrë që të shmanget mbetja pa shtetësi.
Për ta ruajtur shtetësinë, deri në ditëlindjen e 25-të duhet të plotësohet të paktën një nga kushtet: personi të jetë i regjistruar në një përfaqësi diplomatike ose konsullatë zvicerane, lindja e tij të jetë regjistruar në regjistrin civil zviceran, të jetë regjistruar pranë një autoriteti zviceran ose të ketë deklaruar me shkrim dëshirën për ta mbajtur shtetësinë.

Lexo edheMë 1 shtator komunat në protestë, Ibrahimi: Kërkesat tona janë injoruar ndër vite nga niveli qendror
Autoritetet rekomandojnë gjithashtu që prindërit e fëmijëve të lindur jashtë Zvicrës ta raportojnë lindjen sa më shpejt në ambasadën ose konsullatën përkatëse zvicerane, në mënyrë që ajo të regjistrohet në regjistrin civil.
Edhe nëse afati humbet, ekziston mundësia e rikthimit të shtetësisë. Në parim, personi mund të aplikojë për rinatyralizim brenda dhjetë vjetësh, pavarësisht nëse jeton në Zvicër apo jashtë saj. Pas kalimit të këtij afati, procedura bëhet dukshëm më e vështirë dhe, si rregull, kërkon të paktën tre vjet qëndrim të ligjshëm dhe të pandërprerë në Zvicër.
Humbja e shtetësisë mund të ndikojë edhe te gjeneratat e ardhshme, pasi nëse ajo nuk rikthehet me kohë, nuk mund t’u transmetohet më fëmijëve.












