Vështirësitë për të bërë biznes në Kosovë janë të mëdha, ndërsa të qenurit grua në biznes është sfidë e dyfishtë. Paragjykimet e shoqërisë sonë patriarkale ua vështirësojnë grave zhvillimin e biznesit, duke i parë ato si të paafta për të zhvilluar biznes.
Krusha e Madhe, të kujton gjithmonë luftën e fundit, e cila la fshatin në gra, pasi ushtria serbe vrau dhe masakroi të gjithë burrat e këtij vendi.
Ishin gratë e mbijetuara të luftës, ato që duke përballuar dhimbjen filluan të rimëkëmbin ekonomitë e tyre familjare.
E mbetur e ve dhe pa kulm mbi kokë, Fahrije Hoti sot e njohur si një nga ndërmarrëset e suksesshme në vend, u përball me shumë vështirësi e paragjykime kur nisi biznesin e saj.
“Unë jam kon hi, por jam kon figurë e gjallë, kur jam kthyer s’kam pas kurgjo hiq. Zoti, fëmijët dhe vjehrri jemi kon”, thotë Fahrije Hoti.
Ajo tani udhëheqë me koorporatën “Krusha” që bënë prodhimin e ajvarit dhe zahireve. Hoti rrëfen për Radio-Kosovën se pati shumë vështirësi dhe paragjykime, gjëra të cilat Fahrijen vetëm sa e bënë më të fortë.
“Kanë ardhur njerëz në shtëpi dhe më kanë thënë pse po del, pse ashtu e pse kështu. Nuk kanë paragjykuar veç burrat, 70 për qind grate, 30 për qind burrat. Na jemi dal prej luftës, kemi dashtë mos me pas një rol të burrave, po na ra barra me i luajt dy role dhe u deshtë me punuar. Kur nënat që i kanë humbur djemtë në luftë punonin, u deshtë edhe unë me u punuar për dy fëmijët e mi. Fatbardhësisht mundi dhe sakrifica triumfojë me të mira”, thotë Fahrije Hoti .
Paragjykimet nuk mungojnë as në kryeqytet, kur gratë merren me biznes.
Gresa Bakalli-Gashi e entuziazmuar bashkë me një shoqe të saj hapën mini-restaurantin “Tartinë” që ofron ushqime të freskëta me një shije më ndryshe.
Gazeta prestigjioze New York Times e përzgjodhi këtë lokal si një ndër vendet që duhet vizituar në Prishtinë.
Megjithatë, sipas Gresës, shoqëria kosovare ende nuk është plotësisht e gatshme të pranoj pavarësinë financiare të gruas.
“Për shkak të rrethanave dhe vendit ku po jetojmë paragjykimeve të shumta, sfidat janë shumë të mëdha, por besoj se secila femër e gjen një forcë brenda vetës dhe mundohet që të arrij atë që donë, por, shumë herë ndihet vetëm. Për arsye të fjalëve që i krijohen, fjalëve jo përkrahëse dhe dekurajuese në çdo fillim. Gjithmonë do ketë njerëz që kanë me paragjykuar, sidomos për një femër që është intelektuale e që detyrohet me krijuar diçka, që në rrethin tonë shihet si punë nënçmuese. Njerëzit nuk janë të gatshëm me pranuar”, shprehet Gresa Bakalli-Gashi.
Konkurenca e pabarabartë, ekonomia informale dhe zvarritja e zgjidhjes së cështjeve në gjykata, kamatat e larta për biznese dhe shkeljet ligjore, janë disa nga pengesat që vështirësojnë të bërit biznes në Kosovë, thotë Lirie Kajtazi, udhëheqëse e komisionit parlamentar për barazi gjinore.
“Jemi përpjekur që Avokatit të Popullit t’i japim më shumë kompetenca për ta mbikëqyrur sektorin privat, ku është i punësuar një numër i grave, dhe në këtë aspekt kemi vërejtur shkelje. Dëshirojmë që ky institucion t’i mbrojë të drejtat e tyre, të jetë më inkurajues që gratë ta marrin guximin që t’i rreken këtij sektori, të jenë ato që udhëheqin në këtë fushë. Por statistikat në këtë drejtim nuk janë të kënaqshme, vazhdojnë të mbesin në tregun e punës gratë me një përqindje jo të kënaqshme”, shprehet Kajtazi.
Sociologu Besim Gollopeni përmend se përfshirja e gruas kosovare në biznes, është më e ulëta në rajon, gjithashtu gratë përbëjnë përqindjen më të lartë të papunësisë në vend. Pa dyshim që për gjithë këto padrejtësi, Gollopeni i mbanë përgjegjës institucionet e vendit.
“Nëse shohim një femër duke ofruar shërbime në restorant, taxi apo profesione të tjera, paragjykohet nga të dyja gjinitë, sepse akoma femrën e shohim si pjesë e shtëpisë dhe që është e obliguar që të lidhet për amvisëri”, thotë Gollopeni.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Indistrisë nga 43 mijë biznese të regjistruara në vend, vetëm 8 mijë udhëhiqen nga gratë.
Por gratë e guximshme dhe të suksesshme si Fahrije Hoti e Gresa Bakalli-Gashi japin mesazh të qartë: Gratë duhet të këmbëngulin në synimet e tyre, duke thyer të gjitha barrierat që mund të t’u vinë nga një vend patriarkal siç është Kosova. Hoti dhe Bakalli vazhdojnë bizneset e tyre duke thyer tabutë e profesioneve tradicionale në Kosovë./RTK/Autor: Majlinda Doda