Në prag të takimit të paralajmëruar mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për të gjetur zgjidhje për krizën institucionale që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit prej 47 seancash, deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku për lajmi.net, ka theksuar gatishmërinë e partisë së saj për të kontribuar në tejkalimin e ngërçit politik.
“Nisma Socialdemokrate nuk ka hyrë në bisedime me kushte, por me vullnet të sinqertë për të kontribuar në zhbllokimin e situatës institucionale,” u shpreh Izmaku.
Megjithëse partia nuk ka paraqitur kërkesa specifike, ajo e vlerëson si të domosdoshme që në krye të Kuvendit të vendoset një figurë me përvojë dhe pjekuri politike.
“Vendi ka nevojë për një figurë që gërsheton përvojën, seriozitetin dhe maturinë politike. Z. Fatmir Limaj përfaqëson këto vlera – ai ka qenë faktor stabiliteti në momente kyçe dhe ka dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme për ndërtimin e konsensusit dhe ruajtjen e balancave politike,” tha ajo.
Sipas saj, një Kuvend i udhëhequr nga Limaj do të sillte stabilitet dhe kredibilitet institucional, duke dërguar sinjale pozitive si për qytetarët ashtu edhe për partnerët ndërkombëtarë.
Pjesëmarrja në qeveri, jo kusht
E pyetur nëse Nisma synon të bëhet pjesë e ekzekutivit apo vetëm të jetë pjesë e një marrëveshjeje politike, Izmaku tha se partia është e hapur për çdo format bashkëpunimi që çon vendin drejt zgjidhjes.
“Nuk e kemi përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes në qeveri, por nuk e kemi as kushtëzuar me të. Për ne është më e rëndësishme përmbajtja e marrëveshjes sesa ndarja e posteve.”
Pritshmëri pozitive nga takimi
Izmaku u shpreh optimiste për takimin që pritet të ndodhë ditët në vijim, duke theksuar atmosferën pozitive që është krijuar në diskutimet paraprake.
“Presim një bashkëbisedim të hapur, të sinqertë dhe me përkushtim të ndërsjellë për t’i dhënë fund kësaj bllokade. Nisma vjen në këtë proces me seriozitet të plotë, dhe figura e z. Limaj mund të jetë urë bashkëpunimi për të ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe një qeveri që reflekton përgjegjësi, përfaqësim dhe vlera.”
Takimi Kurti–Limaj pritet të jetë vendimtar për tejkalimin e krizës më të gjatë institucionale në Kosovën e pasluftës, ku Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet për më shumë se 47 seanca radhazi./lajmi.net/