Besnik Tahiri, ka deklaruar se Aleanca e ka bërë pjesën e saj sa i përket procesit për zgjedhjen e presidentit, duke ofruar, siç tha ai një mundësi reale për garë politike përmes kandidaturës së Ramush Haradinaj.
Sipas tij, kandidatura e Haradinajt nuk ka qenë thjesht formale, por shprehje e vullnetit për të hyrë në garë, por thekson se tani më ai nuk është kandidat për president.
“Aleanca e ka bë pjesen e vet, na ia kemi dhënë edhe Kosovës edhe opozitës një mundësi me kandidaturën e kryetarit, e cila ska qenë kandidaturë por vullnet për me garu, në atë vullnet cka dimë ne gjasat kanë qenë më të vogla mos me fitu sesa me fitu Ramushi. Mirëpo ne kemi dasht me kriju një garë politike, në mes të pozicionit opozitar dhe atij të LVV, kjo nuk ka ndodh dhe tani më, Ramush Haradinaj, nuk është kandidat”, tha ai në “Blic Interview” me Astrit Gashin.
Ai theksoi se nëse AAK do t’i kishte 80 nënshkrimet e nevojshme, do të ndërtonte një platformë të qartë mbi të cilën do të qëndronte kandidatura e Haradinajt. Por, sipas tij, mungoi dakordësia dhe vullneti nga partitë e tjera opozitare.
“Ne po ti kishim 80 nënshkrime tonat, ne do të punonim, do të vendosnim një platformë mbi cka qëndron kandidatura e Haradinajt, mirëpo ne nuk patëm as dakrodësi, as vullnet nga kolegët tonë”, shtoi ai.
Tutje, ai shtoi se vendi tashmë ndodhet përballë dy skenarëve, ose të shkojë në zgjedhje, ose të arrihet marrëveshje për një kandidat potencial që do të mund të siguronte mbështetjen e PDK dhe LDK.
“Tani jemi para një situate, ose shkojmë në zgjedhje për shkak se shihet që Osmani nuk është opsion i zotit Kurti, ose do të zgjedhet një kandidat potencial që do ta ketë mbështetjen e PDK dhe LDK, këtë do ta shohim”, përfundoi Tahiri.