BallinaLajmeLajmet e FunditSuspendohet një rreshter dhe katër policë të përfshirë në arrestimin e 27...

Suspendohet një rreshter dhe katër policë të përfshirë në arrestimin e 27 vjeçarit që vdiq në Lipjan, IPK: Po intervistohen dëshmitarët

Inspektorati Policor i Kosovës njofton se në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me vdekjen e një qytetari në Lipjan dhe reagimit të zyrtarëve policorë në këtë incident sot pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

Në kuadër të veprimeve hetimore IPK njofton se përfshihet edhe identifikimi dhe intervistimi i dëshmitarëve okular të këtij rasti si dhe ka “filluar mbledhja e provave materiale, incizimeve nga kamerat e sigurisë dhe incizimet nga telefonat mobil”.

“Që të gjitha këto video materiale do të jenë pjesë e ekzaminimeve të detajuara që pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të këtij incidenti por edhe mënyrës së reagimit policor”, thuhet në njoftim.

Në interes të zhvillimit të hetimit, IPK njofton se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor( përfshirë një rreshter dhe katër zyrtarë policorë).

“Suspendimi i tyre është masë administrative e përkohshme dhe në këtë fazë nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale.

IPK në koordinim me Prokurorinë e Shtetit është duke bërë një hetim të pavarur, objektiv dhe të gjithanshëm për të përcaktuar nëse gjatë ndërhyrjes/reagimit policor janë respektuar procedurat ligjore dhe standardet profesionale të veprimit policor”, thuhet në njoftim.

“IPK rikujton opinionin e gjerë se rastet e kësaj natyre trajtohen me prioritet të lartë dhe çdo përgjegjësi eventuale individuale apo edhe institucionale do të adresohet bazuar në të gjeturat e hetimit dhe autorizimet ligjore të IPK-së dhe ligjeve të tjera në Republikën e Kosovës”, përfundon njoftimi.

- Advertisement -