Sulmi vetvrasës në Jemen, së paku 30 të vdekur

Në Jemen raportohet se një sulmues vetvrasës e ka shpërthyer një xhaketë të mbushur me eksploziv në qytetin jugor port të Adenit, duke vrarë së paku 30 ushtarë dhe lënduar shumë të tjerë.
Zyrtarët thonë se sulmi i 18 dhjetorit e ka pasur cak një turmë me ushtarë që kanë qenë duke pritur në rend për të marrë rrogat, në afërsi të bazës ushtarake, Al Sawlaban.
Grupi militant Shteti Islamik e ka marrë përsipër përgjegjësinë, tetë ditë pas një sulmi të ngjajshëm me bombë ndaj një baze i kryer po nga grupi militant, Shteti Islamik.
Në këtë sulm janë vrarë 48 ushtarë.
Lexo edheFëmija rrezikon të mos flasë më për gjithë jetën, kjo është tragjedia që i ndodhi në market
Qyteti Aden kontrollohet nga grupe besnike ndaj qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të presidentit, Abu Rabbu Mansu Hadi.
Ato e kanë përkrahjen e sulmeve ajrore të Arabisë Saudite, në luftën kundër rebelëve Huthi dhe aleatëve të tyre, të cilët e kontrollojnë kryeqytetin, Sana dhe pjesën më të madhe të Jemenit veriperëndimor.
Konflikti në mes të qeverisë së presidentit Hadi dhe rebelëve shiit që deri më tash ka marrë jetën e 7 mijë njerëzve dhe ka zhvendosur mbi 3 milionë të tjerë është shfrytëzuar nga Al Kaida dhe Shteti Islamik për të rritur praninë e tyre në këtë shtet. /rel/














