Sot u bë e ditur se Gjykata Supreme e ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me të cilin u pezulluan për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale. Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Murati, i cili ka sulmuar gjykatën duke e cilësuar vendimin si absurd, dhe, duke ua përmendur emrat gjyqtarëve të Supremes që kanë marrë këtë vendim.
Ndaj kësaj ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, duke thënë mes tjerash për përfaqësuesit e VV-së si ‘’të papërmirësueshëm’’.
‘‘Këta janë të papërmirësueshëm. Sinqerisht.
Si është e mundur që një njeri i cili e mban postin e ministrit në mënyrë të paligjshme të dalë publikisht për të kontestuar, paragjykuar dhe sulmuar Gjykatën Supreme?
Si është e mundur që në vend se ta pranojë vendimin dhe të reflektojë për gabimet e bëra, Hekurani të sulmojë gjyqësorin, madje edhe gjyqtarët me emër e mbiemër?
Në fakt, kur kujtojmë se kemi të bëjmë me shkelës serik të Kushtetutës, habia është e tepërt’’, ka shkruar ajo. /GazetaExpress