Sulmi i fuqishëm në një xhami në Pakistan lë 16 të vdekur dhe 56 të plagosur

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe 56 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim i fuqishëm, në një xhami, pranë zyrave policore në qytetin Kohat, veriperëndim të Pakistanit, të premten, raporton Associated Press.
Tragjedia, sipas shefit lokal të policisë dyshohet se ndodhi kur një sulmues përplasi një automjet të mbushur me eksploziv në objektin fetar.
Është konfirmuar se mes viktimave janë 5 policë dhe 11 civilë.
Shumica e të plagosurve ishin besimtarë që ndodheshin në xhami. Disa prej tyre janë në gjendje kritike.
Policia bëri të ditur se të paktën 2 persona të armatosur tentuan të hynin në kompleksin policor. Ata shkëmbyen zjarr me zyrtarët e sigurisë.
Fotografitë nga vendi i ngjarjes shfaqin murin e jashtëm të zyrave policore të rrëzuar. Xhamia pësoi gjithashtu dëme të mëdha.
Raportohet se shpërthimi u dëgjua nga një largësi e madhe dhe ngriti re tymi mbi zonë. Pas tij u dëgjuan edhe të shtëna me armë.
Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif e dënoi sulmin dhe shprehu dhimbje për viktimat. Ai kërkoi nga autoritetet përshpejtimin e operacioneve të shpëtimit.

Lexo edheKaos në Ceuta, policia nis operacionin për zhvendosjen e mijëra migrantëve
Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin. Dyshimet pritet të përqendrohen te talebanët pakistanezë, të njohur si Tehrik-e-Taliban Pakistanm shkruan AP.
Sulmi pasoi një valë dhune në rajon. Të enjten, një bombë goditi një autokolonë të sigurisë në distriktin e afërt Hangu, duke vrarë 6 ushtarë.
Forcat qeveritare zhvilluan po atë ditë operacione, gjatë të cilave vranë 10 militantë të dyshuar të këtij grupi.
Talebanët pakistanezë kanë shtuar sulmet kundër policisë dhe civilëve gjatë viteve të fundit. Në vitin 2023, një sulm vetëvrasës në një xhami në Peshaëar vrau 101 persona.
Grupi është i ndarë nga talebanët afganë, por konsiderohet aleat i tyre.
Pakistani e akuzon vazhdimisht Kabulin se strehon pjesëtarë të këtij grupi dhe nuk i ndalon sulmet ndërkufitare. Qeveria afgane i mohon këto akuza.














