Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti janë përplasur në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët po mbajnë interpelancë me kryeministrin lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in, për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës, raporton Periskopi.
Ishte deputeti i VV’së, Albin Kurti, i cili në fjalimin e tij sërish sulmoi kryeministrin Haradinaj, premtimet e të cilit tha se nuk do të realizohen asnjëherë pasi ai aktualisht është në pozitë të dobët.
“Ai ka Qeveri të pakicës me vetëm 52 deputetë, ku kryeministri nuk i ka as çerekun e tyre. Një kryeministër në pozitë kaq të dobët s’mundet me bashku Mitrovicën e as me i mbajt premtimet për atë pjesë të territorit. Kritika ime është që për të mbetur Haradinaj kryeministër, duhet të vazhdojë të jetë ushtrues detyre i presidentit aktual, Thaçit”, tha Kurti.
Tutje ai foli edhe për bisedimet Kosovë Serbi në Bruksel, ku tha se fillimisht duhet të sillet në Kuvend një platformë që tregon se çka ka ndodhur me këtë dialog nga viti 2011 deri në vitin 2018.
“Na nevojitet një bilanc për dialogun 2011 e 2018, e jo me na ardh platformë ku shkruan se Thaçi na prin në këto bisedime”, tha tutje Kurti.
Atij i reagoi menjëherë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“I nderuar Albin, jo që nuk e mbajta mend prej fillimit, por po ua nisi nga fundi, se ti i ki ma për qefi këto politike se këto ekonomike s’pot shkojnë hiç. S’janë për ty ato, se pom dokesh si vetja që ulna me eksperta e s’po marr vesh sen. Për parti, unë i kam veç 10 deputetë, të hujt e të konopit, ama asniherë s’kanë livrit. Qata janë. Edhe nëntë në kofshin. Jom shku në burg e kam nejt tetë vjet, e kur jam kthy qitu i kam gjetë. Maj edhe ti tut në mujsh. Se e kupton për çfarë po flasim. Unë kam kandidu me një koalicion. E kam përbi marrën, e kam jep dorën. Na s’jena përfekt. Edhe ju një parti jeni kanë e jeni nda”, tha Haradinaj në kundëpërgjigjen e tij për Kurtin.
Sërish reagoi Albin Kurti.
“Së pari kryeministri u desht të përmend një dallim thelbësor të deputetëve tanë, se deputetët e VV’së nuk janë familjarë e kushëri të mijë. Nuk është që janë të huajt e të konopit, por janë të shtëpisë. Edhe me u nda, prapë mbesim më shumë se AAK’ja. Për dialog ju keni marrë stafetën nga presidenti dhe po vazhdoni në rrethin e njëjtë. S’ka kurrfarë kuptimi. Ky u kanë i detyruar me sjell Demarkacionin e me miratu, për me qenë kryeministër. Haradinaj s’është kryeministër. Është veç në detyrë. Është shndërruar në korrier të presidentit”, tha Kurti tutje.
Haradinaj sërish u kundërpërgjigj.
“Janë disa punë që i ka bërë Qeveria, që tregojnë se kjo Qeveri ekziston me të vërtet. Ty s’ta ka ni për Demarkacion hiç, e keni pas veç kartë. As kolegëve tu që i ki afër nuk ua ka ndi. Nuk ju dhimti hiç minimizimi i raportit të Bulliqit. Mbesim me përgjegjësitë që ne i kemi marrë. Jemi me Veselin. Edhe ty ta pata dhanë dorën, po s’mujtëm me çu ma larg”, tha kryeministri.
E Kurti kundër-replikën e tij e nisi me raportin për Demarkacion.
“Ne kemi qenë bashkë në kundërshtimin e Demarkacionit. Na s’e kemi ndërru rrugën. E keni keqpërdor opozitarzmin për me u shit më shtrenjtë tek ata. Po të mos ishte Haradinaj në opozitë me neve nuk do t’i rritej vlera aq shumë, sa ta marrin Thaçi e Veseli. Nuk e kisha besu që sërish e sillni në Kuvend raportin e Murat Mehës, pas raportit të Bulliqit. Ne nuk do ta bënim një gjë të tillë. Janë ndryshuar vetëm fytyrat e kryeministrave e ministrave, asgjë më shumë”, tha Kurti tutje.
Haradinaj nuk u ndal.
Sërish i reagoi Kurtit.
“Sikur të kish qenë Shpend Ahmeti, kryetar i partisë simotër tash në Vetëvendosje, ndoshta tash kishi thënë se një punë e ke bë sa ke qenë kryeministër, e ai është Ligji për Prishtinën. Por, meqë nuk e ki në parti, tash as atë punë nuk po ma ngjeh. Po nasht”, tha shkurt i pari i Qeverisë.
Kurti edhe njëherë iu kundërpërgjigj kryeministrit, të cilit i tha se zgjidhja e vetme është që të devijoni nga temat.
“Ishte me neve, shkove të Thaçi e Veseli, e tash mendon që t’u i deviju temat, harrohen ato që u thanë më herët. Ty të kanë marrë me qira për me kry Demarkacionin e Asociacionin”, tha Kurti.
Haradinaj në reagimin e radhës sërish ia përmendi Kurtit Ligjin për Prishtinën e Statutin e Trepçës.
E Kurti tha se secili vendim politik ka pasoja socioekonomike, por kjo nuk do të thotë se ju keni vizion socioekonomik.
“Unë s’po e shajë askënd, veç po e përsëris se Qeveria me 52 deputetë është sharje e ofendim për Republikën parlamentare”, tha Kurti.
Tutje, Kurti tentoi ta testoi kryeministrin.
“Sa metoda janë për ta llogaritur bruto produktin vendor dhe na thoni njërën nga to”, deklaroi Kurti.
“Më doket në të njëjtën klasë në ekonomi jena unë e ti, se jena t’u i mshu në të njëjtën kohë me investime kapitale. Faleminderit për metoda. Investime publike e private, qato po i mësojnë ton. E kemi Lumirin, Dardanin e të tjerët që na ndihmojnë. Duhemi me qenë më korrekt”, u përgjigj Haradinaj.
Për herë të fundit, fjalën e mori Albin Kurti.
“Unë e bëra një pyetje për raportin e kryeministrit me dijen. S’ka nevojë me na tregu sa metoda, po t’na kallxon metodën më të lehtë me llogarit bruto produktin vendor. S’mundesh me qenë kryeministër, e mos me dit qysh llogaritet bruto produkti vendor”, tha Kurti./Periskopi