BallinaOpinioneSPAK, mbroje nga babëzia margaritarin e Vlorës!

SPAK, mbroje nga babëzia margaritarin e Vlorës!

Të ngjajshme

Shkruan: Arben Malaj

Sot Vlora dhe mbarë Shqipëria ndodhen përpara një sprove që tejkalon muret e një godine është një sprovë për vetë ekzistencën e kujtesës sonë kolektive dhe dinjitetit tonë kombëtar. Prej kohësh, përmes çdo hapësire në median e shkruar dhe atë vizive, kam ngritur zërin me forcë kundër një murtaje që po gërryen shpirtin e qytetit tonë: shkatërrimi i historisë për llogari të interesave të ngushta të një grushti njerëzish të babëzitur.

Thirrja ime sot nuk është thjesht një opinion politik apo një reagim i radhës, por është një klithmë qytetare dhe patriotike kundër një kriminaliteti, që po guxon të ngrejë dorë mbi simbolet tona më të shenjta.

Tentativa për të shndërruar Shkollën Tregtare të Vlorës në një kantier pallatesh për oligarkët nuk është thjesht një krim urbanistik apo një tjetërsim prone; është një atentat i pastër ndaj historisë së Pavarësisë, ndaj dijes shqiptare dhe ndaj vetë sakrificës së atyre që e bënë këtë vend.

Ne duhet të kuptojmë se Shkolla Tregtare nuk lindi rastësisht, por ishte fryt i një vizioni të madh shtetformues që pasoi menjëherë Luftën e Vlorës të vitit 1920, kur elita patriotike e kuptoi se liria e fituar me pushkë duhej mbrojtur dhe lartësuar me penë. E themeluar në vitin 1924, si rezultat i një bashkëpunimi historik mes qeverisë shqiptare të kohës dhe Kryqit të Kuq Amerikan, ajo u konceptua si një qendër e elitës perëndimore në zemër të Mesdheut shqiptar, duke u bërë “Meka” e arsimit profesional që prodhoi shtyllat e para të shtetit modern deri në vitin 1944.

Statusi juridik i asaj toke është i pashlyeshëm dhe dokumentet historike janë kokëfortë përballë çdo mashtrimi të sotëm. Dokumenti i vitit 1993, një vërtetim pasurie zyrtar, qartëson se në vitin 1940, tokat e familjes së patriotit të madh Qazim Koçuli u blenë nga Italia për qëllime publike dhe ushtarake.

Pas çlirimit të vendit, të gjitha pronat e fashizmit u konfiskuan dhe kaluan automatikisht në pronësi të shtetit shqiptar si troje publike.

Prandaj, çdo pretendim i sotëm për “kthim prone” apo tjetërsim drejt ndërtimit privat është një sajesë juridike e rëndë që kërkon të fshehë grabitjen e hapur. Edhe nqs., ka pronarë të tjerë, asnjë shkollë publike deri edhe lulishte nuk mund t’ju kthehet ish-pronarëve – ky është parim kushtetues. Ata kompensohen me vlerën reale të tregut.

Shqiptarët e korruptuar mund t’i grisin dokumentet në zyrat tona të Kadastrës, por ato dëshmi janë lehtësisht të gjetshme në arkivat italiane, duke bërë që çdo fadromë që prek atë truall të jetë në shkelje të hapur jo vetëm me moralin, por edhe pa prekshmërinë e pronave publike në shërbim të mirë-arsimimit.

Përtej arkitekturës dhe arsimimit, Shkolla Tregtare kreu një mision që historia shpesh e ka anashkaluar: misionin e pajtimit njerëzor dhe zbutjes së luftës së rëndë të klasave. Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria u nda dhimbshëm në nacionalistë, ballistë dhe komunistë, kjo shkollë shërbeu si një “ishull paqeje” brenda një stuhie vëllavrasëse. Ish-nxënësit e saj krijuan një fenomen unik të tolerancës që quaj “Solidariteti i Bankave të Shkollës”.

Edhe pse u rreshtuan në llogore të kundërta ideologjike, ata e zbutën armiqësinë ndaj njëri-tjetrit sepse respekti për vitet e përbashkëta dhe edukata perëndimore që morën në atë shkollë ishte më e fortë se çdo doktrinë politike e kohës.

Ka dëshmi rrëqethëse se si ish-nxënësit që morën poste të larta pas lufte, ndërhynë në heshtje dhe me rrezik personal për të mbrojtur shokët e tyre të klasës nga persekutimi i egër, duke u thënë eprorëve të tyre se “para se të jemi kundërshtarë, jemi djemtë e Tregtares”.

Ky “Kod Nderi” e bëri këtë shkollë një laborator të qytetërimit ku njerëzorja qëndronte mbi partinë, duke u bërë vendi i shenjtë ku nderohej libri po aq sa nderohej flamuri.

Në ato korridore dhe banka nuk u mësua vetëm kontabilitet apo tregti, por u brumos palca e shoqërisë shqiptare. Atë shkollë e ndoqën apo dhanë mësim personalitete që u bënë shtyllat e kulturës dhe shtetit, si kolosi i letrave Petro Marko, politikani Hysni Kapo, diplomati Reis Malile, shkrimtari Shefqet Musaraj, dhe profesorët korifenj si Jani Minga e Loni Adami.

Aty lindi fryma e parë e sindikalizmit shqiptar dhe po aty u krijua fidanishtja e parë e sportit vlonjat, ku djemtë që më vonë do të bëheshin pionierët e “Flamurtarit” mësuan disiplinën e garës së ndershme.

Patrioti i madh dhe shkrimtari i talentuar Petro Marko, në kryeveprën e tij autobiografike “Retë dhe Gurët”, e përshkruan këtë institucion me një adhurim pothuajse fetar, si një “tempull të rinisë dhe të lirisë”.

Për Petron, ajo ishte dritarja nga ku Vlora shihte drejt Europës, një “margaritar” që rrezatonte dritë në një kohë errësire. Ai shpesh kujtonte se “Shqipëria nuk mbrohet vetëm me pushkë, por mbi të gjitha me mendje të ndritur”, duke e parë shkollën si fortesën më të madhe kundër injorancës dhe prapambetjes.

Vlora historike qëndron mbi një trekëndësh të shenjtë që nuk mund të cenohet pa u shembur i gjithë qyteti: Flamuri që përfaqëson Pavarësinë, Liria që u fitua me gjak në 1920-ën, dhe Dija që përfaqësohet nga Shkolla Tregtare. Prandaj nuk duhet të lejojmë babëzinë ta fshijë këtë simbol për të ndërtuar mur betoni pa shpirt, duke dëmtuar kujtesën tonë kolektive.

Vlonjatët i kanë shërbyer Shqipërisë gjithmonë me “pushkë dhe penë” dhe sot, më shumë se kurrë, na kërkohet “pena” e guximit qytetar për të mbrojtur emblemën e dijes sonë.

Nuk ka të babëzitur që mund të nënshtrojë një qytet të tërë nëse ne bëhemi bashkë për të mbrojtur atë margaritar që shkëlqen në historinë tonë të përbashkët.

Prandaj, i drejtohem me një thirrje publike dhe zyrtare SPAK-ut: Hetoni menjëherë babëzinë që kërkon të shkatërrojë Shkollën Tregtare! Verifikoni çdo dokument pronësie dhe çdo leje tjetërsimi, sepse ato janë të mbushura me falsifikime që kërkojnë të grabisin pasurinë publike të një kombi të tërë.

Mos lejoni që krimi i betonit të mposhtë ligjin dhe historinë në sytë e të gjithë shqiptarëve.

Sot është në provë integriteti i institucioneve tona përballë oligarkisë që nuk pyet për trashëgimi.

Po ashtu, u drejtohem vlonjatëve të mi fisnikë: Sot është në provë ADN-ja juaj patriotike dhe forca juaj për të mos lejuar që simbolet tuaja të kthehen në mall tregtie.

Mos u grindni për partitë politike, sepse ato janë të përkohshme dhe shpesh bashkëpunëtore në këto krime, por bashkohuni për ta ruajtur si sytë e ballit këtë histori të lavdishme.

Babëzia ka arritur në nivel kriminaliteti, duke dashur të fshijë nga faqja e dheut jo thjesht një ndërtesë, por një stacion të rëndësishëm të historisë fisnike të qytetërimit tonë.

Ne nuk mund të lejojmë që “Vlora Tregtare e Vlorës” të mbetet vetëm një emër në librat e historisë, ndërsa trualli i saj zihet nga hije pallatesh të oligarkësh.

Vlora nuk është një pronë private e askujt, ajo është shtëpia e lirisë dhe e dijes. Kthejeni në një kolegj ndërkombëtar e për ekonominë e dijes i vendosni emrin “Mira Murati” dhe përdorni modelin e saj të suksesshme të hartuara nga Mira dhe ekipi i saj.

Mbroni Shkollën Tregtare me çdo kusht, sepse duke mbrojtur atë, ju mbroni dinjitetin e fëmijëve tuaj dhe vërtetoni se jeni pasardhës të denjë të atyre që nuk u thyen kurrë përballë asnjë pushtuesi.

Historia nuk do t’i falë ata që shkatërrojnë, por mbi të gjitha nuk do të na falë ne nëse do të heshtim përballë kësaj masakre kulturore dhe historike. Ky margaritar duhet të vazhdojë të ndrisë si dëshmi e një populli që di ta nderojë dijen po aq sa lirinë.

1

Ish-kandidat i PS-së për kryetar të Bashkisë

Vlorë dhe fitues i raundit të parë, korrik 1992.

Deputet i Qarkut Vlorë, 1997–2013.

“Qytetar Nderi” i Qarkut Vlorë.

“Qytetar Nderi” i Vermoshit, 2003 (komunë e

PD-së në atë kohë).

“Personalitet Nderi” i Shoqatës Kombëtare

“LABËRIA” / Nderi i Kombit.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz