Mbrëmjen e së dielës në një aksident trafiku në qytetin Waldburg të Gjermanisë, ka humbur jetën 18-vjeçari nga Prishtina, Boletin Reçica. Familjarët kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në ora 15:00 në varrezat e qytetit në Arbëri.
“Të dashur miq, shokë dhe dashamirë, ju njoftojmë se varrimi i të ndjerit Boletin (Isa) Reçica, bëhet sot në ora 15:00, në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan),Prishtinë!”, kanë njoftuar familjarët në rrjetin social Facebook.
Në këtë aksident u përplasën dy vetura, ku 18-vjeçari nga Prishtina, me inicialet B.R., vdiq në vend, ndërsa 4 persona të tjerë janë lënduar rëndë dhe janë dërguar në urgjencë.
Mediat gjermane tregojnë se vetura e të riut kosovar kishte hyrë në korsinë e kundërt, duke u përplasur me veturën tjetër që brenda saj ishin 4 persona (dy fëmijë dhe 2 prindërit).
Po ashtu, policia gjermane ka konfirmuar këtë lajm, ku tha se të dielën mbrëma ndodhi aksidenti dhe rruga mbeti e mbyllur plotësisht, deri në orën 21.15 midis Ëaldburg dhe Badstuben (rrethi Ravensburg).