Sokol Bylykbashi është bartës i listës së kandidatëve për asamblistë nga Lëvizja Vetëvendosje në Drenas, shkruan Drenicapress.
Këtë e ka bërë të ditur Bylykbashi në llogarinë e tij në Facebook.
Postimi i Sokol Bylykbashit:
Të dashur qytetarë të Drenasit,
Në zgjedhjet e brendshme të subjektit politik që i përkas, kam respektuar kërkesat dhe vullnetin e aktivistëve që të jem përsëri bartës i listës së kandidatëve për Kuvendin Komunal.
Lëvizja në Drenas do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale me kandidatë që e kanë dijen, guximin, besnikërinë dhe vendosmërinë. Lista e jonë ka kandidatë të grup-moshave, profesioneve dhe vendbanimeve të ndryshme.
Kuvendi Komunal është organi më i lartë përfaqësues politik në nivelin lokal. Është e rëndësishme që qytetarët t’i votojnë njerëzit që do i mirëpërfaqësojnë. Kuvendi Komunal duhet të jetë tribunë e diskutimeve dhe vendimeve në interes të të gjithëve.
Në mandatin e Kuvendit që po përfundon, ne e kemi nxitur debatin, kemi ngritë çështje të rëndësishme dhe kemi denoncuar keqpërdorimet. Tani ka ardhur koha që ne t’i drejtojmë dy organet kryesore komunale, për ta instaluar mendësinë tonë të qeverisjes, sikurse në Prishtinë.
Qytetarët e Drenasit meritojnë shërbime publike gjithëpërfshirëse, shpërndarje të drejtë të buxhetit, shëndetësi parësore efikase, arsim të depolitizuar, infrastrukturë cilësore dhe administratë profesionale. Për të gjitha këto, ne e kemi alternativën qeverisëse lokale dhe njerëzit e gatshëm që do ta zbatojnë atë. Më 22 tetor duhet të fillojë një qeverisje e re për qytetin tonë, krejt ndryshe nga ajo që e kemi parë që nga paslufta. Për këtë qëllim, kërkojmë përkrahjen e juaj.
Në shërbimin tuaj,
Sokol Bylykbashi
/Drenicapress.info/


