Brajshori tha se ky rast ka pas për qëllim degradimin e personalitetit të vajzës, duke e publikuar në rrjete sociale ku të gjithë akterët pjesëmarrës janë po aq fajtor sa edhe dhunuesja.
“Shkaqet kryesore të rritjes së dhunës fizike mes të miturve fillojnë nga familja”, tha ai.
Brajshori u shpreh se në Kosovë fatkeqësisht ka shumë familje jo funksionale, ku mungon kujdesi prindëror, mos komunikimi, neglizhenca, dhuna në familje.
“Faktorët shkollor, si mungesa e edukimit emocional, mirëkuptimi për nxënësin me probleme, të mësuarit e empatisë, pra duhet të ketë ekstra trajnime për menaxhimin e emocioneve. Problemet me presion të grupit. Të rinjtë shpesh e shohin dhunën si mënyrë për të fituar status ose respekt tek të tjerët”, tha ai.
Ndërkaq, sa i përket lojërave online, Brajshori tha se janë indikator i madh për rritjen e dhunës.
“Por, në rastin e Gjilanit më shumë janë të pranishëm faktorët që i cekëm më lartë, duke treguar superioritet ndaj më të dobëtit për të përfituar famë dhe status të të ‘fortit’ në shoqëri”.
Tutje sociologu tha se institucionet duhet t’i qasen me seriozitetin më të madh problemeve të tilla, duke filluar nga kampanja sensibilizuese për bullizim dhe bullizim online.
“Të gjitha shkollat të kenë psikolog dhe sociolog ku së bashku me grupet e ndërmjetësimit dhe qendrat për punë sociale t’i parandalojnë këto dukuri negative. Por, barra kryesore mbetet tek familja e cila duhet të kenë kujdes se çfarë shikojnë fëmijët e tyre, a ka përmbajtje të dhunshme, për minorët të kenë programe të instaluara në telefonat e tyre për të kontrolluar se a klikohen sajte të ndryshme, a ka përmbajtje të papërshtatshme, a ka komunikim me persona të panjohur që mund t’i shtyjnë drejt problemeve dhe më e rëndësishmja të ketë komunikim të mirëfilltë e të mos neglizhohen qoftë edhe ankesat më të vogla”, vlerësoi sociologu Brajshori.